Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK) ka njoftuar se greva do të vazhdojë në të gjitha institucionet arsimore.
Sipas SBASHK-ut greva e përgjithshme në tërë sistemin arsimor duke filluar nga çerdhet, institucionet e arsimit parauniversitar dhe në universitete do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, derisa institucionet e shtetit nuk përmbushin kërkesën legjitime e të drejtë të SBASHK për ngritjen e koeficienteve në projektligjin e pagave për 30 % për të gjithë të punësuarit në arsimin e Kosovës.
“SBASHK ka përcjellë me kujdes situatën në tërë Kosovën gjatë grevës dhe fton institucionet qendrore e lokale që të shtojnë angazhimet për të përmbushur kërkesën legjitime të SBASHK-ut. Po ashtu, i kujtojmë ata që të heqin dorë nga idetë për të bërë presione ndaj grevistëve sepse do të përballen me ligjin e drejtësinë ngase greva jonë është legjitime dhe këtë të drejtë e mbron edhe ligji mbi grevat dhe konventat ndërkombëtare”, thuhet ndër tjerash në komunikatën e SBASHK-ut.