Në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, një qytetarë i Tërnocit me makinën e tij ka goditur shtyllën në afërsi të varrezave, në hyrje të këtij fshati të komunës së Bujanocit.
Si pasojë e aksidentit shtylla prej betoni është shembur, me ç’rast janë këputur telat e rrymës si dhe ato të rrjetit kabllorë televiziv, “Elhan-Commerc”.
Siç ka mësuar Portali “Titulli” nga dëshmitarët, goditja e shtyllës është dëgjuar edhe në shtëpitë afër vendit të ngjarjes, ndërsa ngasësi i makinës, i cili është i njohur për redaksinë, ka pësuar lëndime të lehta trupore.
Punëtorët e Elektroistribucionit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke vendosë shtyllën e re si dhe lidhjen e telave, të cilat pas shkëputjes kanë lënë disa lagje pa energji elektrike.
Një dëm ka pësuar edhe rrjeti kabllor duke lënë një pjesë të klientëve pa sinjal televiziv.
“Rrjeti kabllor momentalisht është jashtë funksionit. Pas vendosjes së shtyllës nga punëtorët e Elektrodistribucionit do të shohim edhe dëmin që i është shkaktuar rrjetit tonë”, u shpreh për Titullin, Burhan Behluli, menaxhues i rrjetit kabllor “Elhan-Commerc”.
Ai shpreson që sinjali i kabllorit të rikthehet gjatë ditës së shtunë.
Kohëve të fundit rastet e goditjeve të shtyllave dhe shembja e tyre ka hyrë në “trend” në këtë fshat.
Para mëse dy muajsh, afër vendit të sotëm të aksidentit, janë goditur edhe dy shtylla të cilat kishin fatin e njejtë.
Qytetarët tërnocas fajin për këto aksidente ia lënë ngasësve të makinave, sipas të cilëve, “po vozisin në gjendje të dehur”, dhe kështu përveç shtyllave po rrezikojnë edhe kalimtarët e rastit.