Prend Buzhala: Në Herodiumin Modern (Pesëdhjetë ese); (Shtëpia botuese, Rozafa, Prishtinë, 2018)
“Të shqiptosh Fjalën, ke bërë aktin e lindjes. Aktin e Lindjes së Të Vërtetës.
Dhe po e dhunove Fjalën, ke bërë aktin tjetër, vrasjen e një lindjeje”(Fjala, akti i lindjes)
Libri i Prend Ndue Buzhalës “NË HERODIUMIN MODERN”, botuar nga Shtëpia botuese Rozafa, në Prishtinë, më 2018; brenda pesëdhjetë esesh është dendësuar me një sërë margaritarësh eseistikë, lirikë, refleksesh me pikënisje nga akti i leximit, si njëri nga aktet e hyrjes në botën e librit.
Si e kundron aktin e lindjes poeti, kritiku e eseisti Prend Buzhala? Shtytja e parë dhe jo e vetmja për nisje të aktit të lindjes është dashuria e vullneti, jo veçse i njërës palë, por dhe i palës së dytë, i dashnorit dhe dashnores së përjetshme të fjalës së shpirtit e të zemrës; lidhjes tyre të pashkëputur për qëllimin fisnik, fisnikërimin e ndjeshmërisë njerëzore në mjedisin real dhe zgjerimin e imagjinatës gnoseologjike.
Autori iu shtrua kërkimit mes dy polesh: hapësirës së fjalës së shqiptuar, por të pashkruar, asaj që nuk u gjet në lashtësi as nga arkeologët, për tu cilësuar si monument arkitekturor i fjalës shqipe, i materializuar në një mjet që hapet me dorë, shfletohet, lexohet me shkronja që lidhin sende, kumte dhe kuptime, rilexohet, nënvizohet, mbyllet duke ia lypur zbërthimin, depërtimin në shtresat e vetëdijes e të ndërdymes… E pashkruara, me pak shenja të shkruara, do të zbërthehej pjesërisht, ose do t`i mbeteshin një varg kodesh të pazbërthyera, si sprova për mprehjen e intuitës së brezave.
Çka i duhet fjalës për ta zënë vendin ballor, do të thoshim, të përqendruar në sfera të ndryshme të jetës së organizuar, në komunitete komb-formues, për dukjen e kthjelltë të fytyrës së Atdheut, me ndjeshmëri të hollë shpirtërore e vija të dukshme identifikuese, qytetëruese? Prend Buzhala për të rrjedh lirshëm lumi i fjalëve ua shtron dhe thellon shtratin në librin “Në Herodiumin modern”, me tekst krejtësisht të hapur poetik e të diskursit mendor. Sipas kësaj qasjeje, eseisti duket ta ketë zgjuar interesimin për ta pajtuar artistiken me dijen, esenë lirike me diskursin gnoseologjik.
Mirëpo, është për tu theksuar se të gjitha qasjet e këtilla të superstrukturës shpirtërore, imagjinare dhe ideore, nuk e lodhin, as e shpërqendrojnë vëmendjen e lexuesit. Përkundrazi. Veçantia dhe e përbashkëta e kësaj eseistike është grishja e të sinqertës, e interesimit për një lexim të ndërvarur, ndër-komunikues me lexuesin, për ndërtimin e niveleve kulturore, etike, etnike, njohëse, qytetëruese dhe shtetndërtues.
Shkrimi i tillë eseistik kritik, me premisa teorike-filozofike, vë në shënjestër mendësinë tonë të mjegulluar, të goditur gjithanshëm me gjithfarë izmash mesjetare e deformime bashkëkohore. Ky diskurs i dha dorë mendjes e penës së sprovuar, dijetarit me një opus të gjerë, të thellë e të lartë, urtarit Prend Buzhala.
*
Tre esetë e hyrjes në librin “Në Herodiumin modern” : “Faqja e zbrazët e librit”, “Fjala, akti i lindjes”, “Shpirti i thurjes së fjalisë”, i paraprijnë dy librave: librit të parë IMAGINARIUM dhe të dytit “NË HERODIUMIN MODERN”.
Imaginarium shtron tridhjetë e dy trajtesa eseistike, kryesisht të shkurta prej një, dy, tre, katër faqesh, me ndonjë përjashtim paksa më të gjatë, siç është eseja “Arti i humbur i bashkëbisedimit”. Libri i dytë “Në Herodiumin modern” brenda njëzet shënimeve eseistike, pos tjerash shtjellon shkrimin, titulluar me shkronja të mëdha: “Kadare, Kryeshenja jonë Europerëndimore”, rreth fenomenit letrar Ismail Kadare, i zgjeruar e thelluar me katërmbëdhjetë faqe tekst.
Shënimet tjera të këtij libri, që i bashkëngjiten të parit IMAGINARIUM, shpërfaqin të njëjtin stil dhe po atë fa(k)turë të pleksur: fakt-fikson, njohje-imagjinatë-ndjeshmëri-vetëdijesim; një stil që ushqen indet e pamjaftueshme të tjetrit, atëbotë kur konceptimit i mungon drita depërtuese në thellësi të dukurive, jo veçse figurative, por dhe ontologjike.
Në të gjitha pohimet, konstatimet, konsideratat, mëdyshjet, vetëmohimet për gjetjen e busullës orientuese, ëndrrat dhe iluzionet e djegura të heronjve, kanë faqen tjetër të përmbushjes së të marrëve, të demagogëve, të tiranëve të vegjël e të mëdhenj, të cilët i japin kahen historisë, po në emrin e idealeve të shkallmuara të atyre “që toka i hëngri të verdhë”* (R. Elmazi)
Në qoftë se dje autori ngrehte artin e mburojës së qëndresës, çfarë i duhej të ngre sot në dinamikën marramendëse të modernes? Urtari Prend Buzhala spikat modelin e të bukurës, të drejtës universale dhe individuale, mëton forcimin e imagjinatës krijuese, burimore, nxjerr në pah mençurinë, kujtesën dhe harresën, profilin e personazhit kryengritës, heroin e mashtruar e të zhgënjyer, përballë imagjinatës djallëzore, vetëdijes së turbulluar, mençurisë së nënshtruar, kujtesës së fshirë, urtisë së vetëkënaqur, heroit të penduar e të korruptuar, parimit të lënduar e të dorëzuar, artit të politizuar, trashjes së personazheve të indiferencës, heshtjes kolektive në kohën e vlimeve…
“Në Herodiumin modern” eseisti, esteti dhe kritiku saktësisht do ta dijë, se ku ndodhet dhe a ndodhet përnjëmend në këtë mjedis antonimish heroi lirik? Nëse ai është pozicionuar në periferi të vlimit ose heziton të futet në “In medias res”? Gjithsesi, heroin lirik e grish të hyjë në log të burrave… Ai e fton të hyjë aty ku duhet të hyhet. Si të hyjë? Të hyjë burrërisht si hero lirik dhe epik. Mëdyshjet për hyrje në betejën metaforike personazhin lirik vetvetiu e rrëzojnë, para se ta rrëzonte beteja e supozuar.
Filozofia e Prend Buzhalës “Në Herodiumin modern”, si dhe i tërë opusi i gjerë i këtij shkrimtari e përtrollit thënien: Homo sum humani nihil a me alienum puto; Njeri jam, kurrgjë njerëzore për mua nuk është e huaj. Pikënisja e pikë-mbyllja e përsiatjeve, e vrojtimeve, e shqetësimit, e konstatimeve brengosëse për fatin dhe dinjitetin njerëzor, e shpie autorin në kahet e kërkimit të udhëve për dalje në stomin e shpresës. Fati i urtisë njerëzore shihet, shtrihet e ngjizet në dy skajet e postulatit të lart-cituar. Pra, njerëzorja është krye-përmasa e shtjellimit imagjinar, artistik, estetik, etik, etnik e filozofik. Të tjerat janë variacione, fragmente, dromca, pamje të kësaj krye-përmase.
Njëkohësish, le të shohim opozicionin ose kursin opozitar të shtjellimeve eseistike të urtarit Prend Buzhala? Qasja e tij, sikurse gjetiu, edhe në librin që po paraqesim, është kundërvënie, pa hezituar, formulës dogmatike; qoftë fetare, kanunore, ideologjike, doktrinarë, politike… Dogmat, jo njëherë, në shekuj u bënë frenuese të mendimit, të mendjes së lirë ndërtuese, të përballjes së ideve, të shumësisë ideore si begati. Dogma dhe sistemet dogmatike prodhuan tragjedi individuale dhe kolektive; ato sollën periudhat akullnajore, që dogjën e ngrinë mendje-ndritur e vizionarë, martirë e heronj të mendimit të lirë… Madje sistemet diktatoriale shpallën dhe teorinë e cinizmit të tyre diktatorial… Imponimet dogmatike shpesh marrin rolin e zëdhënësve “të parimeve”, sikurse tek njëri skaj i botës kuranore, ndaj nuk ka si të mos ndodhin katrahurat terroriste kudo në botën e sotme të ndërvarur.
Ithtarët e dogmës nuk ngurruan t`i digjnin, madje në turrë drush, profetët e dijes e të vizioneve paravajtëse.
*
“Diku e paskam shënuar: botës i duhen edhe njerëz të çmendur. Ata të krisurit, që nuk veprojnë sipas rregullave. Ata që nuk e respektojnë status quo-në. Kot e ke nëse i respekton apo përbuzë: ata e kanë masën e vet”(Në Herodiumin modern, f. 166).
Citati i shkëputur shpie tek rrethana paradoksale! Vallë a ta kapim dukurinë si një mision përmbysës të rendit të konsoliduar të gjërave? Këtu nuk përurohet heroi anarkik, ai që trazon rendin e sistemit demokratik dhe i jep shkas anarkisë. Bartësit e tillë të një“Herodiumi” (Herodium qëmtim inventiv i P. Buzhalës), mëtojnë një shikim tjetër-fare dhe largvajtës për lumturinë e njëmendët të njeriut. Të lodhur nga lumturia e shpifur, ata marrin guximin risimtar, përderisa nostalgjia e robit nuk do të ngurrojë për t`i sharë! Para së gjithash, për t`ua dhënë shkasin të tjerëve “ndryshojnë mendimin në kokat e tyre”. Ata, shtresimi i “Herodiumit modern”, pikë së pari e vranë frikën tek vetja, me etiketën e “të çmendurit” pa kërkuar që më parë atë ta bëjnë të tjerët. “I çmendur” për shtresimin e indiferentëve kameleonë, ishte akti vetëdjegës i Jan Pallahut në qendër të Pragës, më 1968; shenjë e skajshme dhe simbol vetëflijues i protestës për ndërhyrjen dhe shkeljen e vullnetit sovran të popullit çek nga Rusia Sovjetike.
Prend Buzhala, në mënyrë kronologjike, përuron artin e mendimit dhe të kundrimit tjetërsoj të gjërave të realitetit dhe mbi-realitetin. Si? T`i shikosh gjërat me syzat e dioptrisë të çdo diktati autoritar:
“Dhe atëherë ti nuk je gjallë, po një kufomë që ecën…” (Në Herodiumin modern,f. 166)
Imaginarium përfshin librin e një vargu qasjesh e këndvështrimesh për thelbin e imagjinatës, si pararendëse e esencave tjera poetike, artistike, kërkimesh e eksplorimesh shkencore, rreth e rrotull prekjes e shtrirjes së vullnetit njerëzor, për të ndërtuar anën tjetër të realitetit, botën e veprës imagjinare.
Depërtimi i idesë imagjinare edhe aty ku nuk jemi, ku nuk mund të jemi, por synojmë të arrijmë, duke hedh diskurse paradoksale, hipoteza për mendjen që prekë diellin dhe tejkalon gravitet e yjve në galaktikat e gjithësisë, janë dhuntia e mendjes konkurruese ndaj Perëndisë…
*
Libri Imaginarium përqendrohet në variacionet e imagjinatës, syprinë e thellësi, republikën imagjinare, imagjinatë dhe eros, poezia si lloj profecie, ëndrrat e çmendura të imagjinatës, mjegulla, mrekullia magjike e mjegullës, simbolika e urës, realja, fantastikja, miti, arti i humbur i bashkëbisedimit, biblioteka imagjinare, apologjia e egër e injorancës dhe ri-konceptime të tjera të lira.
Në librin e dytë “Në Herodiumin modern”, artin e shkrimit dhe magjinë e leximit, Prend Buzhala i vendos mbi shtylla të forta referencash të domosdoshme të inteligjencës. Ndryshe do t`i emërtonim si referenca të artit e të intelektit njerëzor, përkitazi me prozën e aktualitetit dhe të së ardhmes më premtuese, për konsumimin më të dendur të artit e të dijes nga njeriu.
Artit dhe dijes modernia i shtron dilema të tmerrshme: a do të ndodh apokalipsi? Eseisti paravajtës e ndjenë ardhjen e gjëmës apokaliptike: “Apokalipsi ndodh për çdo ditë… Duke shikuar qiellin me re, me Lutjen Për Shpëtim, ai pret. Ndërsa qielli i dërgon gjyle.”(Apokalipsi tash: Jeta e vdekja nuk merren vesh) f. 130.
Depërtimet eseistike të “Herodiumit modern” ngjizen me brenga e strese, për humbjen e baraspeshës së njeriut, të individit e të turmës kundruall lakmive të paskajshme dhe sigurimit të kafshatë së bukës nëpër kontejnerë! Forcimi i egos dhe tëhuajësimi i njeriut prej njeriut, izolimi në celularë të mençur… Makro-treguesit e të dhënave të kësaj natyre janë shqetësues: pasuria dhe prona globale e përqendruar në duar të një përqindëshit! Dëshmia si kjo: a nuk është përmasë globale e absurdit global?! Egoja klanore, pushteti grupor deri te korporatat e miliarderëve, që me sistemet e tyre mëtojnë të korruptojnë dhe Perëndinë! Si ndjehet dhe çka mund të bëjë heroi imagjinar, vogëlsia dhe butësia e tij, përballë kësaj epërsie e baraspeshe të humbur?!
Deri ku mund të arrijë shkrimtari, i cili çdo ditë ndeshet me rrjeta të kapshme, të dukshme e të padukshme, të çelikta e të thyeshme? Mendimi dhe fjala e hapur shtrohen si domosdoshmëri. Jo njëherë dinjiteti ka fituar betejat kundruall bajonetës, ngase lufta vazhdon edhe me mjete tjera. Shkrimtari nuk trembet, jo vetëm si model disidentësh në diktatura. Heshtja e shkrimtarit dhe dijetarit tash, kur Kosovës mëtohet t`i qepen rrobat sipas masës së humbësit, lugatit mesjetar të zgjuar për gllabërim, është e mjerë dhe e turpshme! Qepja e kostumeve të ngushta, aq sa për të mos i shtrirë gjymtyrët etnia te burimet e veta të ujit, as mbi nëntokën e xeheve, nuk mund të jetë e tumirur. Assesi! Andaj, heshtjes sonë akademike meriton t`i gatitet arkivoli për varrosje!
Indiferenca është e barabartë me miratimin e shëmtuar të aktit të kryer. Fakti i kryer vjen nga brendësia e shtrirë e shtresimit indiferent. Shkrim-kërkimtari në serinë e përsiatjeve për mendimin e heshtur të kontekstit shqiptar, apostrofoi me shkronja të mëdha “Të Mosfolurit”. Po ashtu, me shkronja të mëdha “Kthimin te vetja”. Përpos përmallimit për armikun, si një barrë a mëkat i pa falur, ende i pa flakur tek një shtresim i konsiderueshëm,“i privilegjuar” i vetë(mos)dijes etnike, apostrofa e mendimtarit shtrihet më tej, në përmasën e qytetërimit…
Qytetërimi biblik kishte shfaqur përtrollitje të Mea Culpas, ose kërkim-faljen, si njëra nga vlerat qytetëruese. Akti i kërkim-faljes është një lloj vetë-gjykimi “i butë” dhe iu përket shteteve, ose ideologjive shtetërore të dështuara, të cilat zbatuan gjenocidin, shfarosjen mbi përkatësitë tjera fetare, etnike, racore, ideologjike e hapësinore…
Për shtetet që bënë gjenocid, si Gjermania ndaj hebrenjve, kërkim-falja nuk i zhbën krimet, as vuajtjet, as tragjeditë e tmerrshme e të dhimbshme mbi viktimat. Sidoqoftë, është shfaqje e një akti, sado që tingëllon cinik, për ta zbutur sadopak shtendosjen e rikthimit tek përgjegjësia, tek mospërsëritja, tek pendesa dhe ardhmëria(?).
“As Gjermania, as Italia, as Franca kurrë nuk kanë qenë si Serbia, Rusia apo Turqia, me sjelljet e tyre. Ato shtete europerëndimore, që të gjitha, e kanë përjetuar një Mea Culpa,(kërkim-faljen, për fajin e tyre të bërë), kurse Serbia në raport me ne, nuk e ka bërë këtë gjë! (Mea Kulpa a kërkim-falja si vlerë civilizuese), f.143.
Sipas këtij kursi vijon apostrofimi i diskursit të shkrim-kërkimtarit Buzhala, si dëshmi e vazhdimit të politikës së konstantës negative.
Le të shkëpusim fragmentin tjetër nga i njëjti diskurs konstatues:
“Kurrë nga vendet e Lindjes (Rusi, Turqi etj.), nuk ka ndodhë kjo Mea Culpa! Kërkim-falja për krimet dhe pushtimet, për egërsinë e dhunës e të gjenocidit të ushtruar. Sepse në mendësinë e tyre ende bëjnë çerdhe politikat antidemokratike e ideologjitë e shfarosjes”(Mea Culpa a kërkim-falja si vlerë cilivizuese), f. 143.
Ndoshta eseja “Doktrinat e rimohimit kombëtar”, renditjen më të artikuluar do ta kishte në librin e dytë, për tipologjinë e çështjes që ngre, meqë është më e lidhur me thelbësoren: mohimin e identitetit kombëtar e shpirtëror, dje nga Perandoria Turke, sot nga neo-otomanizmi.
Doemos urtisë së urtarit tonë i cenohet sedra, veçmas kur kursi mohues është i paskrupull, ndaj opozicioni i tij është ironik: “Për hir të neo-otomanizmit a u dashka të heqim dorë edhe nga emri shqiptar për t`u quajtur kosovar!” (Doktrina e rimohimit kombëtar),f.73.
Satira nuk duket këtu, ndërsa nënteksti lë shkas për një kahe të tillë goditëse. Mirëpo, digë e gjithë kësaj mësymje vërshuese për zhbërjen e origjinalitetit kombëtar është pikërisht shqipja. Goditjen rrënimtare kësaj tendence zhbërjesh, i jep urtari Prend Buzhala në stilin e pyetjes retorike:
“Si ta shpikim një gjuhë që nuk është shqipe, por otomane?!” (Doktrina e rimohimit kombëtar) f.73.
Çështje të hapura
Esetë e dy librave ndërtojnë një tërësi libri, të shkruar si përsiatje në trajtën e një ditari, meqë çdo ese, me pak përjashtime, në fund ka datën e shënimit. Datat e shkrimit ndjekin kronologjinë e ditëve, javëve, muajve të përmbushur me shkrime, po ashtu me ndonjë zhvendosje të kronologjisë së datave, të renditjes së shkrimeve sipas skemës e përzgjedhjes autoriale.
Përsiatjet poetike, teorike të Prend Buzhalës ndërtojnë mozaikun e një vështruesi jo tërësisht lirik, pleksur me ide e mendime të cilat përputhen mes vete, por dhe qarkullojnë ndaras; për ta risjellë variantin e mendimit tij, si vëmendje e zgjuar për letërsinë dhe shoqërinë, për dukuri tej- kohore dhe kalimtare, për lidhjen e pashmangshme me librin si vlerë themeltare e njerëzimit.
Qoftë si vlerë njerëzore, qoftë si vlerë kombëtare, libri me shumësinë e trajtave të kërkimeve ontologjike, imagjinare, jetësore, praktike për gnomikun tonë, me gjithë mrekullinë e informatikës, është i pa kontestueshëm.
Fjala dhe libri për çfarë mund të jenë të pa kontestueshëm? Le të hyjmë në kontekstin dhe pleksjen e çështjeve: për gjuhën si digë e identitetit e të dinjitetit etnik, për anë-këndet e ndritshme e të errëta të urtisë që dorëzohet, për depërtimin e intuitës ndërtuese në sferat e fantastikës, për mentalitetin e robit e të dhimbjes kombëtare, për ringjalljen e poetikës së fëmijërisë, për rikthimin e artit të humbur të bashkëbisedimit; trajtat e egërsisë të apologjisë së injorancës; synimi i ndërtimit të epokës si Shoqëri e Dijes dhe Ekonomi e Dijes; kapërcimi nëpër shajnitë e hijeve platonike; shkrimtarët dhe kujtesa; shkrimtarët dhe e vërteta; arti dhe apokalipsi; “pandjeshmëria” njerëzore; drejtpeshimi dhe humbja e tij; dashuria, altruizmi, bamirësia kundruall egoizmit, makutërisë e logjikës të përbotshme vrastare; njeriu numër; vetë-njohja e vetë-mbyllja dhe kapaku i qelbur i indiferentizmit; mitet e vjetra dhe mitet e përfituesve modern; arti afër politikës dhe politika e ngjizur në art, marrëdhëniet prapavajtëse dhe paravajtëse; Kadare dhe kontestimet inatçore të personalitetit…
Çfarësia eseistike
Përgjatë gjithë eseve, mbi pesëdhjetë sish, sa përmbajnë dy libra të ngjeshur në një, titulluar “Në Herodiumin modern”, Prend Buzhala fjalës me prejardhje greke hero i vesh prapashtesën latine di-um. Këtu është i motivuar të zbërthejë gjithanshëm, lirshëm, jo sipas ndonjë sistemi të paracaktuar, qoftë faqen e dukshme ose nënshtresën e ngërthesës poli-semantike, me reflekse figurative, filozofike e të imagjinatës krijuese. Kjo mësymje ka peshën e vet ndikuese në psikologjinë e kontekstit aktual.
Prend Buzhala në piketimet, vështrimet, prekjet, konstatimet, zbërthimet, pohimet e mospajtimet e tija eseistike, nuk shfaqi eristikë; që do të thotë: grindje, fjalosje, tendosje. Mjeshtëria e tij e polemikës është e qetë, nuk i përket polemikës së ashpër dhe konstatimit betonues. Ai respekton dhe argumentin e tjetrit. Butësia e tij nuk është e flashkët… Për këtë metodologji të argumentimit, ai pati bekimin e eruditëve evropianë, të dijetarëve, shkrimtarëve, teorikëve dhe estetëve me rrezatim global. Andaj, të shumtën e herës u udhëhoq prej citateve të shkëputura nga sintezat e tyre për akëcilën dukuri a fushë e dijes përkuese me mjedisin shqiptar.
Stili i këtyre eseve për temat, motivet, ecjen e etnisë zgripeve, mëdyshjet mes antonimive ilustrohet përmes dy stilesh: figurativ dhe shkencor. A mund ta cenojnë njëri-tjetrin këto stile diametralisht të kundërta? Mendoj se jo. Dëshmi për këtë pajtim stilesh është joshja e kureshtjes për t`i lexuar këto përsiatje poetike-refleksive. Ky stil dhe gjuha e të shprehurit tij e lë të hapur ndërvarur komunikimin me lexuesin. Është paradoksale, por ndonjëherë leximi i kësaj përvoje gnomash, sikur nëpërmjet një telepatie për të njëjtat fenomene, është duke i lexuar mendimet e ndjesitë e mia!
Cili është heroi i “Herodiumit modern” të Prend Buzhalës? Heroi modern nuk lufton me pushkë. Ai ka tjera beteja për ta fituar luftën bashkëkohore. Ai është i rëndomtë mes të rëndomtësh: pa epoleta, pa grada, “pa privilegje”. Armët e tija më të forta janë parimet meritore dhe ligjet e zbatueshme; përgjegjësia para institucionit të përgjegjësisë. Ai nuk identifikohet me lumturinë e individit. Ai shkrihet në lumturinë e të tjerëve. Modeli i tij i jep shije të përgjithshmes njerëzore dhe kombëtare. Për të, për karakterin e sedrës tij, vetëm e përgjithshmja është ombrella më e sigurt e përmbushjes. Për tipin e tillë të heroit ambicia individuale, i shëmbëllen eremitit të një manastiri të humbur, jashtë sysh e zemrash të kohës.
Në librin “Në Herodiumin modern” nuk përjashtohen përfundimet e tipit të urtisë, të maksimës, të cilat i ngjajnë një fjalori të zgjeruar, kur shtjellimet analitike shndërrohen në përkufizime sintetike. Kjo është e mjaftueshme që poetin, kritikun dhe estetin Prend Buzhela ta shohim në shkallën sipërore të një Magu shqiptar të letrave.