Gjykatat kanë punë me ligje, politikanët me politikë. Politika dhe Gjykatat duhet të mbajnë distancë ndaj njëra tjetrës.
Këtu në Kosovë, shumë herë gjatë historisë së vjetër dhe të re, gjyqin e kanë bërë politikanët ndërsa gjyqtarët i kanë mbrojtur politikat zyrtare.
Nga: Arsim Kastrati
Në fakt gjykatat fillimisht janë krijuar për ti mbrojtur institucionet e shtetit në rend të parë dhe në shumë vende të botës edhe në ditët e sotme ato të shumtën e kohës këtë detyrë bëjnë – janë shërbëtore të politikës.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ditëve të fundit ka marr përsipër ta gjykojë një qështje të politikës kosovare e cila për shkak të pa aftësisë së saj kronike për të zgjidhur qështje të rëndësishme, edhe kësaj here i është drejtuar kësaj gjykate që ajo ta nxjerr nga balta në të cilën e ka futur vetveten dhe tërë popullin e Kosovës.
Mendimi i shumicës së njohësve të zhvillimeve politike në Kosovë është se kjo gjykatë e ka treguar veten e saj ashtu si duhet në zgjidhjen e disa çështjeve të rëndësishme politike, duke e kryer me integritet punën e saj në mbrojtjen e kushtetutshmërisë së zhvillimeve politike në kuadër të institucioneve të Republikës së Kosovës.
Shpresojmë që edhe kësaj radhe kjo instancë e lartë juridike e shtetit tonë të ri, do ta kryej punën e saj me korrektësi profesionale, me nderë dhe guxim duke e vërtetuar para popullit të saj dhe para botës se Kosova megjithatë është shtet.
Kam përshtypjen se verdikti i këtij procesi është një hap i rëndësishëm për Kosovën, që do ta çelë më tej rrugën e dominimit të ligjit mbi politikën apo të politikës mbi ligjin.
Askush nga politika nuk do të duhej që drejtpërdrejtë apo tërthorazi të bëjë presion ndaj kësaj gjykate dhe gjykatave në përgjithësi, sepse “çka mbjellë sot e korrë nesër”, sepse frika është këshilltar i keq, dhe një verdikt eventual jo i drejtë në instancë të fundit nuk do ti konvenoj askujt.
Një mendim i politologut Ramush Tahiri më duket se është këshilla më e mirë si për politikanët kosovar ashtu edhe për Gjykatën Kushtetuese: “Gjykata Kushtetuese nuk është në funksion të zgjidhjes së krizës politike por është në funksion të shpjegimit dhe interpretimit të Kushtetutës”.