Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm Penal ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit R.J. për veprën penale Nxitje e përçarjes dhe e mos durimit nga neni 141 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
I akuzuari R.J. është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) muajsh burgim, duke filluar nga data e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, konform nenit 79 të KPRK-së koha e kaluar në paraburgim i llogaritet në kohëzgjatjen e dënimit me burg, konform nenit 44 të KPRK-së, me pëlqimin e të pandehurit gjykata i zëvendësoj dënimin me burgim me dënim me gjobë, ashtu që për pjesën e mbetur të dënimit të paguaj shumën prej 6700 € (gjashtë mijë e shtatëqind euro) gjobë. Të akuzuarit R.J. gjykata i shqiptoj edhe dënimin plotësues ku urdhërohet dëbimi i të pandehurit R.J. nga territori i Republikës së Kosovës në kohëzgjatje prej 5 vite. Kohëzgjatja e dëbimit llogaritet nga dita kur ky akgjykimi merr formën e prerë.
I akuzuari, R.J. me datë 28.06.2021 rreth orës 14:00, në fshatin Mazgit, Komuna e Obiliqit, në vendin tek monumenti i “Gazimestanit”, me dashje dhe planifikim ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mos durim në mes të grupeve etnike dhe fetare që jetojnë në territorin e Republikës së Kosovës, në atë mënyrë që gjatë manifestimit të përvjetorit të njohur si “Vidovdan”, publikisht dhe në prezencën e numrit të konsiderueshëm të qytetarëve, ka brohoritur fjalët “vrite shqiptarin”, “ Kosovën do ta lajmë me gjak”, “Kosova është Serbi”, ndërsa para gazetarëve dhe medieve të pranishme ka deklaruar “ … kur kthehem djathtas, ku shoh shqipëtarët, atyre do tu vie ngusht, për neve do jetë më mire … me çka ka përhapur publikisht urrejtje duke rrezikuar prishjen e rendit publik dhe me këto veprime i akuzuari ka kryer veprën penale, Nxitje e përçarjes dhe e mos durimit nga neni 141 par.1 të KPRK-së
Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes kësaj gjykate.