Pjesa e parë (I)
Shkruan: Sami ARIFI — 2LONLINE.com
Milan von Sufflay ishte medievist i spikatur i periudhës midis dy luftërave botërore, njeri ndër studiuesit dhe njohësit më të mirë të historisë shqiptare të mesjetës. Ishte ai një ndër viktimat e terrorit që pësoi fill pas diktaturës monarko-fashiste të Aleksandër Karagjorgjeviqit. Ai u vra më 18 shkurt të vitit 1931, pasi kishte shkruar një varg studimesh të shkallës së lartë shkencore, duke iu rrek punës së mëtutjeshme rreth kërkimeve të burimeve arkivale dhe shtjellimit të historisë voluminoze të popullit shqiptar, e cila do të ishte vepra e tij jetike, që do të vente bazat e studimeve të pastajme në fushën e studimeve albanologjike.
Sufflay u lind në Lepogllavë të Kroacisë më 9 nëntor 1879 dhe rrjedh nga një familje me origjinë nga Gjermania që ishte vendos në Ballkan aty rreth vitit 1567. Që si nxënës i gjimnazit të Zagrebit ishte i dalluar për zgjuarsinë e jashtëzakonshme, kujtesën e fortë dhe zellin tepër të madh në mësime. Që si nxënësi ishte lexues shumë i madh i veprave letrare, i cili ndër shkrimtarët e njohur pëlqente më së shumti Balzakun, Shternin, Stendalin, Zmajin, Jakshiqin dhe Preshernin.
Ai filloi të shtjelloi edhe shkrimet me rastin e mbajtjes së recitaleve. Sufflay më pastaj studioi shkencat historike në Universitetin e Zagrebit. Ai lexonte veprat duke filluar nga autorët e antikës e deri te ata të kohës së re. Ai i njihte gjuhët: greqishten e vjetër, latinishten, gjermanishten, anglishten, frëngjishten, hungarishten e të gjitha gjuhët sllave, ndërsa më vonë i hynë mësimit të shqipes, greqishtes së re, ebreishtes dhe sanskritit.
Profesor Tadija Shmiçikllas e nxiti diplomatin e ri që t’u përvishet kërkimeve shkencore rreth përgatitjes së temës së doktoratit me temë: Hrvatska i zadnja pregnica istocne imperije pod zezlom triju Komnena (1175-1180), të cilën e mbrojti në moshën 22 vjeçare përpara një auditoriumi të përbërë nga profesor që gëzonin renome. Nëse kandidati i gradës doktor shkencash kishte treguar sukses të shkëlqyeshëm që nga fillimi i shkollimit e deri në mbrojtjen e tezës, pra në Kroaci, shpallej si sub auspiccis regis dhe merrte si dhuratë të mbretit një unazë brilanti.
Sufflay ishte i vetmi kandidat për këtë shpërblim të lartë, por me këtë u nderua një koleg i tij që ishte i favorizuar nga qarqet qeveritare. Sufflay një kohë bukur të gjatë ia kushtoi kërkimeve sistematike nëpër arkivat e Dalmacisë për të vjelë një mori material dokumentar në shqyrtim të një aspekti të ri të problematikës historike në kompleksin e ballkanologjisë, arritje shkencore që e afirmoi studiuesin 24 vjeçar në përmasa evropiane.
Interesi i Milan von Sufflay për albanologjinë nis herët, duke përgatitur studimet e përmendura më lartë hasi në materiale burimore që lidheshin me historinë shqiptare të mesjetës. Në historiografinë e atëhershme kjo periudhë ishte shkelur shumë pak, prandaj ishte temë që kishte zgjuar kërshërinë e gjeneratës së re të shkencëtarëve.
Ndaj të kaluarës së historisë shqiptarëve ushqente simpati dhe respekt të veçantë, prandaj edhe bëhet cak kryesor i veprimtarisë shkencore për gjithë jetën. Ai shpalosi veprimet e tij në hulumtim për shqiptarët në kohën kur shtetet kishin synime ekspansioniste ndaj territoreve shqiptare. Ai botoi në gazeta dhe revista të ndryshme një sër punimesh të mbështetura në materiale burimore. Ishte bashkëpunëtor i rregullt i fletores Szazadok, ku boton vështrimin kritik mbi diplomën e mbretit kroat Zvonimir, dokument ky që vlerësohet si falsifikat. Me suksese në radhën e emrave të njohur të disiplinës shkencore-krahas me F. Raçkin, I. Kukuleviqin, F. Shiqiqin, Fr. Kllaiqin, I. Bojniqin, E. Lazovskin, Fr. Kosin dhe M. Kostrençiqin e të tjerë.
Socialdemokrati serb, Dimitrije Tucoviqi, për këtë ngjarje gjatë pushtimit të trupave serbe në Shqipëri në vitin 1912, thekson se pushteti serbomadh: “fshihte egërsitë e veta si gjarpri këmbët… fshatrat shqiptare ishin shndërruar në vatra shkrumbi, në të njejtën kohë këto ishin krematoriumet më barbare në të cilat digjeshin për së gjalli me qindra gra, pleq, të sëmuar, e fëmijë”…
Pikërisht në ditën e pushtimit të Durrësit nga ushtria gjakatare serbe, profesori kroat, Milan von Sufflay, botoi në gazetë një shkrim të gjatë, ku tregonte se argumentet serbe ishin jo më shumë se sa propagandë politike. Artikullin e tij e botonte gazeta austro-hungareze Neue Freie Presse.
Sufflay në historinë e studimeve albanologjike në fillim të këtij shekulli, zenë vend të posaçëm kontributi i madh i tij rreth veprës monumentale Acta et diplomata es Albaniae mediae aetatis illustrantia (Akte dhe diploma që ilustrojnë ngjarjet e Shqipërisë së kohës mesjetare) me të cilat mund të zhvillohen studimet e mëtejshme historike. Ai punoi disa vite rresht në Arkivin e Raguzës duke bërë kërkimin dhe shkrimin e gjithë atyre fondeve që përmbanin të dhëna relevante për historinë shqiptare.
Talaci, ndërkaq, ndërmjetësoi për sigurimin e shkrimit të dokumenteve nga arkivat e Venedikut dhe të Napolit si dhe regestave të Hopfit nga Berlini, ndërsa Sufflay mori mbi vete pjesën më të koklavitur dhe të mundimshme të punës rreth klasifikimit, sistematizimit dhe redaktimit të burimeve të mbledhura. Dalja në dritë e vëllimit të parë të veprës së madhe Acta Albaniae (Vien, 1913) që përfshinte burimet e viteve 344-1344 ishte rezultat i angazhimit të madh të Sufflayt.
Sipas planit që kishin hartuar tre bashkëpunëtorët, vepra në fjalë duhej të dilte në katër vëllime, dhe në këtë mënyrë do të pasqyrohej tërë periudha mesjetare deri me rënien e Shkodrës nën Perandorinë Osmane (1479).
Më 1915 boton në gjermanishte studimet Die Kirchenzustände im vortürkische Albanien (Rrethanat kishtare të Shqipërisë paraturke) dhe Politische Schicksale des Themas Durrachion (Fati politik i Themës së Durrsit), ndërsa dy vite më vonë studimin tjetër: Biologie des albanischen Volksstammes (Biologjia e fiseve të popullit shqiptar).
Pas vdekjes së Talocit dhe Jireçekut që qëlloi po në këtë kohë, e sosi punën në përgatitjen e materialit të vjelur për vëllimin e dytë të Acta Albaniae (periudha e viteve (1344-1408) që doli më 1918, ndërsa dy vite më vonë me pseudonimin Alba Limi boton veprën e parë letrare; romanin historik Konstandin Balshaj, në të cilën gërshetohen edhe elementet autobiografike, në të cilën u jep lexuesve të painformuar një njohuri të përgjithshme për një periudhë historike të panjohur të popullit shqiptar.
Klima politike e disfavorshme e cila ishte krijuar në vitet e para të krijimit të shtetit SKS, që në atë botë filluan rropatjet dhe peripecitë e Sufflayt, që e ndoqën deri në vdekjen tragjike të tij. Gjatë vazhdimit të proceseve të shumta politike që u ngritën në shtetin e porsakrijuar të mbretërisë SKS në Zagreb u burgosën të ashtuquajturit akterët e procesit të tradhtisë (nga viti 1908) me ç’rast arrestohet edhe Sufflay, edhe pse s’kishte të bënte asgjë me përgatitjet e procesit të asaj kohe.
Pas një kohe të shkurtër Sufflay lirohet nga burgu, por që puna e këtij albanologu dhe ballkanologu eminent, nga pushteti serb u bënë përpjekje që puna dhe njohurit e tij, përmes tij, të orientohet për qëllime politike kundrejt Shqipërisë, mirëpo Sufflaj hodhi poshtë çdo shërbim që shkencën ta vë për hesap të politikës ditore dhe të planeve të qarqeve të pushtetit serb. /Vazhdon, pjesa e dytë…/