Nga: Nijazi Ramadani
Përmbledhje
Krijuesi i artit letrar Naim Kurteshi, i nxjerr nga sirtarët e bibliotekës personale, nga fletoret dhe nga margjinat e librave poezitë, tregimet dhe dramën për fëmijë, për t’ia ofruar lexuesit shqiptar, veçanërisht fëmijëve, të cilët janë shumë të etur për krijime letrare, aq më tepër kur në këtë kohë të turbullt shkruhet dhe botohet fare pak për ta.
Këto krijime letrare për fëmijë kapin një periudhë të gjatë kohore, një dekadë të plotë, që fillon nga viti 1975 dhe përfundon dhjetë vite më vonë, më 1985.
Shkrimet e kësaj përmbledhjeje, kryesisht janë poezi lirike dhe sjellin botën, përpjekjet dhe interesimin fëmijëror për ambientin familjar, shkollën, lojën, raportet brenda familjes, relacionin vëlla- vëlla, vëlla-motër, prind-fëmijë, kusherinjtë, shokët dhe shoqet e vendosura në hapësirën gjeografike të Kosovës, madje edhe në të gjitha viset shqiptare në lokalitetet e qytetit dhe të fshatit, gjithashtu.
Poezitë dhe tregimet e përmbledhura këtu ndahen në pesë cikle: “Ara e Madhe”, “Meli”, “Mali i Zabelit”, “Dëshira ime”, ”S’është për ty” dhe krejt në fund një pjesë teatrale, po ashtu për fëmijë, “E vërteta del në shesh”.
Poezia “Kemi gjuhën tonë”, është vendosur në vend të parathënies. Interesimi i poetit është i madh edhe për gjuhën dhe për ruajtjen e saj. Ky interesim duket qartë në vargjet e poezisë “Kemi gjuhën tonë”, në të cilën Naim Kurteshi na e kujtoi edhe interesimin e poetit të madh kombëtar, emnakut të tij, Naim Frashërit, që e pati bërë dikur për kultivimin dhe ruajtjen e gjuhës shqipe si dhe hartimin e teksteve shkollore për shkollat e para që do të hapeshin atëbotë. Pra, përmes lojës që bëjnë fëmijët, poeti na e bën të qartë se nuk kemi nevojë të përdorim fjalë dhe shprehje të huaja, sepse kemi gjuhën tonë, të pastër dhe të ëmbël.
S’ka më fjalë ”bardak”,
kur kemi fjalën gotë,
s’ka më fjalë “dynja”
kur kemi fjalën botë!
Për të gjitha fjalët e huaja, shqipja ka fjalë të pastra, prandaj nuk kemi nevojë t’i përdorim fjalët e huaja, si: bardak, dynja, komshi etj. Po ashtu, brenda vargjeve të kësaj poezie, që është shkruar me strofa katren dhe me rimë abab, aabb, abba, kuptojmë edhe rëndësinë e alfabetit shqip si dhe Abetaren, si librin e parë, që na aftëson për shkrim e lexim dhe na përgatit për nxënien e njohurive dhe arritjet e reja edukativo- shkencore.
Në ciklin “Ara e Madhe” kryesisht janë tubuar shkrimet që kanë për temë ndodhitë e ndryshme familjare, gëzimet, punët, brengat, migrimi, urimet etj. Në poezinë e titulluar “Alfabeti i shkarravitjeve”, poeti ndalet në bisedat me fëmijët e tjerë dhe shpërfaq formën e shkrimit që e praktikonte babai i tij, Mehmet Kurteshi, mësues dhe pishtar i arsimit, shkrim ky i njohur si stenografi. Duhet theksuar se ky lloj alfabeti në atë kohë përdorej nga një numër i vogël njerëzish, e për këtë arsye fëmijëve iu duket se të rriturit po shkarravisin kot, derisa vjen dita dhe këtë kureshtje dhe enigmë e zbulon vetë babai i poetit.
Përveç prindërve, si figura kryesore në jetën e fëmijëve, edhe halla luan një rol të rëndësishëm. Në poezinë “Halla ime”, poeti hallën e krahason me diellin dhe lartësinë e qiellit, por ajo luan edhe rolin e mësueses, sepse me zell e dashuri ia mëson edhe shkronjat.
Poezia “Në Kullaj” na e përshkruan kthimin në retrospektivën dhe botën fëmijërore, atëherë kur kishte më tepër socializim në mes të fëmijëve, punë, kreativitet e lojë. Përgjatë vargjeve të kësaj poezie me nota lirizmi, përshkruhen edhe fushat e gjera, në të cilat loznin dhe i përcillnin nga afër rritjen e të mbjellave, si: misri, domatet e shalqiri. Po ashtu, me ndjeshmëri dhe respekt flitet edhe për rrëfimin e përrallave, që xhaxhai ua tregonte fëmijëve. Edhe loja dhe publiku ishin pjesë përbërëse të kësaj poezie. Në fund fare plotësohet mozaiku i një jete fëmijërore si dhe ideja, që xhaxhai ua jepte fëmijëve, që në vapën përcëlluese të verës, veçanërisht në mesditë, fëmijët të futeshin nën hije të pemëve.
“Ah, sikur edhe një here të bëheshim fëmijë
Në Kullaj ta kalonim rininë”!
Janë vargjet përfundimtare të kësaj poezie, që vijnë si thirrje imagjinare, si klithmë për kthim në jetën fëmijërore dhe të pa brenga.
Poezi tjetër në këtë cikël është edhe poezia “Rilindja”, si titull poezie, por edhe si ringjallje e jetës edukativo-arsimore dhe kulturore, ka rëndësi të veçantë në botën krijuese të poetit, duke marrë parasysh se ai vjen nga një shtëpi e madhe atdhetare dhe arsimdashëse. Kjo gazetë dhe veçanërisht faqja dhe rubrika për fëmijë dhe të rinj, shënojnë një arritje të rëndësishme, në të cilën fëmijët lexonin shkrimet e tyre në atë kohë të largët. Me mall të madh kujtohet ajo kohë, që për fëmijët ishte një festë e madhe, e që fatkeqësisht, sot nuk botohet në formë të shkruar asnjë gazetë dhe revistë, as për të rritur, as për fëmijë. Madje, babai i poetit ishte ndër koleksionuesit e parë të gazetës ”Rilindja”.
Poezia “Gara në punë”, sjell një moment tjetër familjar të punës në arë si dhe përpjekjet, që të bëhet një punë e mirë dhe e shpejtë në dobi të të mirave që sjell puna, sidomos puna e përbashkët familjare. Toponimi Ara e Madhe, përshkruan tokën e të parëve të poetit, tokë që punohej me vullnet e përkushtim dhe konsiderohej e shenjtë, dhe në këtë Arë, tanimë ata kanë ndërtuar shtëpitë e reja dhe kanë krijuar një lagje të familjes, të këtyre protagonistëve, që përmenden në poezi dikur si fëmijë.
Edhe poezitë për nënën “Nënë të dua”, “Nënë, urime 8 Marsi”, gjithashtu burojnë nga zemra e poetit. Aty përshkruan kujdesin, dashurinë, mundimet e nënës për rritjen dhe shkollimin e fëmijëve. Një krahasim i bukur i fjalës së nënës me unazat e arta: “fjalët e tua të zjarrta/ shkëlqejnë si unazat e arta”, ose edhe “zëri i nënës sime /si aromë trëndafili”.
Në poezinë “Si t’ia vëmë emrin”, vërehet një shprehje e lirë e mendimit të anëtarëve të familjes me vetë faktin që në këtë poezi, shumë njerëz e kanë të drejtën të shprehin mendimin e tyre për ta pagëzuar anëtarin më të ri të familjes pa asnjë hezitim. Përveç poezive, në këtë cikël janë përfshirë edhe disa tregime. Marrja e informatave për shpezët dhe veçanërisht për gjelin, trajtohet në tregimin me titull “Gjeli që kafshonte”, si “rojtar” i mirë i pulave të shtëpisë. “Macja që nuk zinte minj” është tregimi që na rrëfen për një dhuratë nga babai për djalin. Duke e lexuar me kujdes, përmes frazave të gjata dhe rrëfimit interesant, arrijmë të kuptojmë, gjithmonë sipas imagjinatës fëmijërore, se sa e rëndësishme është dhurata si dhe sa arrin ta bëjë një mace lodër pasurimin e informatave dhe seleksionimin e tyre në mes të maces lodër dhe asaj reale. Tregime të tjera në këtë cikël, po aq të bukura mbeten edhe “Larg familjes”, ku trajtohet tema e migrimit, një plagë e përhershme e popullit tonë, dashuria për vëllanë e vogël, te “Vëllaçkoja vozit automobilin” e tj.
Cikli i dytë titullohet “Meli”. Meli, ose Ymeri, siç na përshkruan autori, është kushëriri i tij, me të cilin takohen shpesh gjatë pushimeve nga shkolla, por jo vetëm. Ata argëtohen së bashku, zhvillojnë lojëra të ndryshme. Si fëmijë, ata kënaqen me gjithçka që iu vjen përpara, me një motoçikletë (Meli nget motoçikletën) me një skifter (Si i iku Melit skifteri) apo edhe mjete të ndryshme për lojë. Po ashtu, portreti i Melit duke tejet i çiltër dhe fisnik, sepse ai përveç tjerash ndihmon edhe në punë të ndryshme familjarët e tij, si te tregimi “Meli e do vëllazërinë” etj.
Në ciklin e tretë ”Mali i Zabelit”, kryesisht janë tubuar shkrimet për njerëzit më të dashur të fëmijëve, dajallarët. Këto kujtime përditësohen edhe te poezia “Topanica”, ku autori përshkruan lumturinë që përjeton atje, punën që bëjnë por edhe infrastukturën e fshatit. Ai në detaje na sjell shtëpitë, dyqanet, shkollën, fabrikat, urën e fshatit, toponimet e ndryshme, në të cilat ka kaluar fëmijërinë, si Mali i Zabelit, ai i Gradicës etj. Rrëfime inetresante në këtë cikël sjell edhe nga daja i tij, për luftërat e ndryshme, legjendat për “Druri që fliste”, urimet për Vitin e Ri, që ia përcjell dajës së tij.
Cikli i katërt ”Dëshira ime”, përmbledh poezi me motive të ndryshme, si për stinët, muajt, jetën sociale, imagjinatën. Poezia që nxit kureshtjen e fëmijëve është edhe “Çka është…”, ku brenda kësaj poezie, përmes pyetjeve dhe pyetjeve retorike, poeti pastaj jep edhe përgjigjet për tokën pjellore, mineralet dhe metalet, mësimdhënien e mësimnxënien, transportin hekurudhor, Pi-në në matematikë, mikun, Ibrin e Mitrovicës, lirinë, atdheun e atdhedashurinë. Te poezia “Korriku” shpreh lumturinë dhe begatinë që sjell muaji i korrikut, si: korrja e grurit, rritja e shalqirit, pemët dhe perimet e ndryshme.
Lavdërimi dhe mburrja gjykohen si veti të liga në poezinë “Të lavdëruarit”, ku thotë: ”porosia jonë/ është të mos lavdërohesh/ që pastaj para botës/ të mos turpërohesh”. Në poezinë “Fotoaparati”, paraqet aparatin si një mjet, me të cilin pasurohet bota fëmijërore si dhe arti dhe kreativitet i poetit. Dëshira e madhe dhe vështirësitë për blerjen e këtij mjeti, na sjellin në mendje se çfraë rëndësie kishte fotoaparati, fiksimin dhe shënimin e gjërave të jetës, veçanërisht, por edhe fëmijëve, përgjithësisht.
Cikli i pestë dhe i fundit “S’është për ty”, ngërthen më shumë shkrime rreth jetës shkollore. Tregimi “Biblioteka shtëpiake” është një thirrje dhe vetëdijësim për fëmijët se si ata duhet të mësojnë, por edhe të kontribuojnë në ngritjen dhe pasurimin e fondit librar në shtëpitë e tyre, madje edhe ndihmën, që ua ofron shokëve dhe shoqeve të klasës. Një mesazh edukativ del edhe te poezia “Pionieri”, një revistë shkollore e kahmotshme për fëmijë, ashtu siç del edhe nga tregimi ”S’është për ty”, ku disa shokë mundohen ta injorojnë shokun e tyre. Pra, shokët dhe shoqet e shkollës duhet dashur e respektuar gjithmonë, pa kurrfarë dallimi.
Në këtë përmbledhje me poezi e tregime gjejmë edhe një pjesë teatrale për fëmijë “E vërteta del në shesh”. Gjini kjo fare pak e kultivuar këtu te ne, në Kosovë. Përmes një loje dhe dialogu e veprimi interesant fëmijëror, vihet në spikamë dhe kritikohet gënjeshtra si dhe mungesa e angazhimit të nxënësve në punimin e detyrave shtëpiake.
Shumica e poezive janë shkruar me strofën katren, por hasim edhe strofë tercinë e distik, por edhe monokolonë. Gjithashtu, në shumicën e poezive gjejmë vargje të rimuara, gjë që autori i kushton rëndësi edhe vargut dhe rimës.
Gjuha në këto shkrime është e thjeshtë dhe e kuptueshme, e përshtatur për moshën e fëmijëve, aq më tepër që edhe vetë autori, këto shkrime i kishte shkruar në një moshë shumë të re. Pra, këto janë shkruar brenda viteve 1975-1985. Autori, duke qenë se ka jetuar në një bashkësi të madhe familjare edhe me dy axhallarë dhe familjet e tyre, herë pas here ka nxjerrë fletushkën shtëpiake “Naim Frashëri” me 11 vazhdime, brenda këtyre viteve.
Padyshim që autori Naim Kurteshi me këtë përmbledhje me poezi, tregime dhe pjesë teatrale, do të mbetet një hallkë e çmuar për botën fëmijërore, veçanërisht dhe për fëmijë përgjithësisht. Botuar nga ShB. Sadri Daku
Naim Kurteshi
U lind në Gjilan, më 09. 09. 1963, ku edhe kreu shkollën fillore dhe të mesmen, gjimnazin “Zenel Hajdini”. Ka përfunduar SHLP, dega e Matematikës në Prishtinë. Më 2010-2012 ka mbaruar Fakultetin e Edukimit, dega Matematikë –Informatikë. Studimet pasuniversitare, niveli Master, i kreu në Fakultetin e Edukimit në Prishtinë, dega Mësimdhënie e Matematikës, më 2015. Si mësimdhënës e filloi punën më 1989, në fshatin Barilevë të komunës së Prishtinës, për shkak të mospërshtatjes ideo-politike. Nga viti 1990 vazhdoi punën në SHME “Marin Barelti” në Gjilan, ku vazhdon të punojë edhe sot.
Ky është libri i tij i parë i botuar.
Botuar nga ShB. Rrjedh,a