Drejtorit të zyrës për Kosovën pranë qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq, i është ndaluar sot paradite hyrja në veri të Kosovës, përmes kufirit të Jarinjes. “Tentimi për pengimin e hyrjes në territorin e Kosovës të përfaqësuesve serbë është shkelje flagrante e marrëveshjes mes Beogradit dhe Prishtinës, dhe po ashtu shkelje e të gjitha principeve të kësaj marrëveshje”, ka thënë mes tjerash Gjuriq para gazetarëve në Jarinjë.
Ai u shpreh i bindur se një vendim i tillë nga ana e Prishtinës, nuk do të kalojë pa pasoja, ndërsa ka apeluar tek përfaqësuesit e Bashkësisë Ndërkombëtare të ndikojnë në mënyrë që të gjitha problemet të zgjidhen përmes dialogut.
Ndryshe, Gjuriq është dashur sot të marr pjesë në vënien e gurthemelit të një ndërtese në fshatin Banjskë të Zveqanit, pastaj të vizitojë kombinatin Trepça po ashtu në Zveqan, si dhe të takohet me kryetarët e katër komunave veriore në veri të Mitrovicës.