(2L ONLINE) – Si gjithherë stina e verës shton edhe numrin e dasmave, ndejave dhe ahengjeve tjera familjare kudo në Kosovë, por me to vijnë edhe të shtënat me armë zjarri, si shprehje (e çoroditur) e ndenjës së gëzimit, përkundër paralajmërimeve të policisë dhe masave që po i ndërmerr ajo për t’u parandaluar ato. As tani nuk janë rastet e pakta kur në raportet policore regjistrohen arrestime dhe konfiskimeve të armëve nga ata që janë pjesë e një ahengu-dasme.
Qytetarët shprehen të shqetësuar që përveç nga krismat mund edhe të pësojë dikush nga ato gjuajte andaj edhe kërkojnë nga Policia të ndërmarrin masa pa tolerancë ndaj të gjithë atyre që gjuajnë me armë nëpër ahengje-dasma e ndeja të ndryshme.
Edhe në Rajonin e Gjilani raportohen raste të tilla kur gjuhet me armë zjarri në ndonjë dasmë-aheng familjar. E, një rast i tillë më i freskët është regjistruar në këto 24 orët e fundit edhe në fshatin Skifteraj të komunës së Vitisë
Sipas policisë një i dyshuar K/Shqiptar është arrestuar për shkak se gjatë një ahengu familjar kishte shtënë me armë zjarri në ajër. Nga i dyshuari është konfiskuar një revole Zastava 9 mm. dhe tri gëzhoja.
I dyshuari pas intervistimit në konsultim me prokurorin është liruar në procedurë të rregullt.
Ndryshe, nuk janë të pakta apelet e policisë në adresë të qytetarëve nga të cilët kërkohet që t’u shmangen veprimeve të tilla për arsye të sigurisë së tyre, sigurisë së të tjerëve si dhe të ndihmojnë vetveten që gëzimet, dasmat e tyre të përfundojnë ashtu siç ata dëshirojnë.
Në të kundërtën, thuhet nga Policia , ata do të veprojnë konformë ligjit për t’i kontrolluar vendet ku mbahet ahengu, kolonat e dasmorëve, por në situata të caktuara edhe shtëpitë e të dyshuarve. Andaj apelohet që ata që festojnë ta bëjnë këtë me zemër e jo me armë.
Ndërsa, qytetarët gjilanas thonë se gjuajta me armë në dasma është akt i ultë i atyre, që gjoja në këtë formë, po e shprehin gëzimin e tyre që e kanë për një çështje gëzimi për të cilën edhe e bëjnë festën në fjalë.
Idriz Ramadani thotë se duhet punuar në vetëdijesimin e atyre që janë të prirë për këtë dhe nga dasmorët tjerë të pranishëm të mos lejohet që ai person ta bëjë një gjë te tillë, derisa policia nuk duhet neglizhuar asnjë rast ani pse duket e pahijshme uniforma të futet në mesin e një dasme. “Siguria është mbi të gjitha andaj policia duhet vepruar” , thotë Ramadani për 2L ONLINE.
Adelina Islami thotë se çuditët se si njerëzit mund të shprehin një ndjenjë gëzimi duke shtënë me armë zjarri. “Gëzimi mund të shprehet me valle e këngë, me u kënaq me shoqërinë që e ke afër në atë aheng, e jo me sjellje të tilla që mund t’i quaj lirshëm primitive”, thotë ajo për 2L ONLINE.
Edhe, Bejtush Zymeri kërkon nga Policia që të jetë më e pranishme përreth atyre ambienteve ku ka dasma, paraprakisht të bisedojnë me pronarët e restoranteve, apo edhe me të zotin e dasmës që kjo të evitohet . “Dikujt i ka ndodh e dikush ka mund të shoh në lajme se ka pas raste edhe tragjike pikërisht nga të shtënat në dasma andaj nuk i kuptojë pse nuk mbushen mend këta njerëz”, thotë Zymeri për 2L ONLINE, për të shtuar se kërkon nga policia që të mos kursen dënimet assesi ndaj atyre që i zë duke shtënë me armë nëpër dasma. /2L ONLINE/