(2LONLINE) – Me 71 vota për, 2 abstenime dhe asnjë votë kundër, Kuvendi i Republikës së Kosovës kishte miratuar Ligjin për kontrollin e duhanit më 4 prill 2013-të të cilin më pas e nënshkroi presidentja e vendit. Pas kësaj institucionet filluan implementimin e këtij ligji i cili ndalon pirjen e duhanit në hapësirat publike si dhe ekspozimin e duhanit nga shitësit. Por jo të gjithë po e respektojnë këtë ligj.
Valon Shefkiu ushtrues i drejtorit të Drejtorisë së Inspekcionit në Gjilan shprehet se fatkeqësisht në Komunën e Gjilanit nuk janë të kënaqur me zbatimin e ligjit të duhanit, kjo pasi që shumë qytetarë nuk po e respektojnë ligjin për duhan.
Megjithëkëtë, inspektorët sanitar në Komunën e Gjilanit po punojnë në terren dhe se nuk kanë munguar rastet kur edhe kanë hasur në qytetarë të cilët nuk e kanë respektuan këtë ligj , e të cilët janë dënuar me gjobë, në bazë të ligjeve në fuqi.
‘’Realisht janë shqiptuar 10 dënime, ku janë dënuar persona fizik të cilët nuk e kanë respektuar ligjin për duhanin, e që dënimi për individ ka qenë 50 euro’’, ka thënë Shefkiu.
Sipas tij, aksione të tilla po vazhdojnë ende në bashkëpunim me policinë Rajonale të Gjilanit.
Ndërkohë, kur jemi te lokalet afariste vlerësohet se në këtë drejtim ligjin e duhanit po e respektojnë shumica e tyre të cilat kanë vënë shenjat përkatëse për ligjin në fuqi, gjithashtu kanë mënjanuar ofrimin taketukes për klientin, janë krijuar hapësira për duhanpirës. Por, se megjithatë shihen edhe lokale ku tymi bënë mjegull edhe në hapësirat ku është e ndaluar duhani.
Përndryshe, përgjegjësitë e institucioneve përkatëse kanë apeluar tek të gjithë qytetarët pa dallim dhe pronaret e lokaleve që të respektojnë ligjin e duhanit sepse në të kundërtën pasojnë gjobat sipas ligjeve në fuqi./edona jerliu/