/2L ONLINE/ – -Ambulanca Specialistike e Internistike Endokrinologjike, si dhe e Mjekësisë Familjare “EndoMedika” në Gjilan, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Diabetit, me moton: “ Të bashkuar kundër diabetit”, ka ndërmarrë një veprimtari për sensibilizimin e popullatës rreth sëmundjes së diabetit.
Me këtë rast, janë matur vlerat e sheqerit në gjak dhe tensioni i gjakut ,-gratis, si dhe janë dhënë këshilla mjekësore nga Dr. Afrim Bekteshi internist – endokrinolog dhe Dr. Jashar Ramadani për tensionin arterial ( edukim shëndetësor i popullatës).
Popullata e ka mirëpritur këtë veprimtari dhe iu janë përgjigjur në mënyrë masovike, meqë ishte ditë tregu dhe me diell. Matjet janë bërë për të gjithë të interesuarit, pa dallime.
Dr. Afrim Bekteshi, tha se popullata është njoftuar me pasojat socio- ekonomike dhe shëndetësore të sëmundjes së diabetit, i cili është në rritje e sipër. Ai, pohoi se popullata po ashtu është informuar për mënyrën e diagnostifikimit, si dhe mënyrën e menaxhimit të suksesshëm, me qëllim që të parandalohen pasojat e shumëfishta në organizëm, gjegjësisht në organe të caktuara.
Kishte të tillë që kishin diabetin të diagnostifikuar nga me herët, por që kanë vështirësi të shumta socio-ekonomike për ta kontrolluar. Me këtë rast, atyre iu është dhuruar edhe aparati për matjen e glukozës në gjak, duke kontribuar që edhe pacientët të ngrisin nivelin e vetëdijes dhe kontrollit të sëmundjes së tyre.
Nga ana tjetër, Dr. Jashar Ramadani tregoi po ashtu për rëndësinë e matjes dhe futjes nën kontroll të shtypjes së lartë të gjakut – hipertensionit, me qëllim që të parandalohen pasojat.
Hipertensioni, siç thotë, Dr. Jashari Ramadani, është një vrasës i qetë, i definuar nga qarqe shkencore botërore. Edhe në matjet e ditës së sotme, kishte shumë prej tyre që nuk e kanë të kontrolluar si duhet hipertensionin. Atyre, iu është dhënë këshilla për menaxhim gjithëpërfshirës të hipertensionit, jo vetëm me medikamente, por edhe me ndërrimin e shprehive të jetës, që lidhen me ruajtjen e shëndetit.
Stafi shëndetësor i Ambulancës Specialistike “ EndoMedika”, në Gjilan, apelon tek popullata që të vizitojnë rregullisht ofruesit e shërbimeve shëndetësore që të mbajnë nën kontroll sëmundjet kronike, siç është diabeti, hipertensioni dhe sëmundjet tjera.”Gjithnjë më mirë është të parandalohet, se sa të shërohet”, thuhet nga stafi shëndetësor i Ambulancës Specialistike (AS) “ EndoMedika”, në Gjilan. /2L ONLINE/