Ka ndodhur edhe me lindjen e një gjirafe në Kopshtin Zoologjik të Bazelit. Gjirafa “e vogël” ka ardhur në jetë më 27 mars të këtij viti, ndërsa mediet lokale të Bazelit këtë njoftim e bëjnë, duke treguar edhe emrin e kafshës simpatike e paqësore.
Dhe ky emër, për befasinë tonë është: “Qendrim”. Nuk dihet tash për tash preteksti ose motivi për pagëzimin me këtë emër, por gjithçka lë të kuptohet se bëhet fjalë për emrin e njohur shqiptar, Qëndrim.
Siç ka bërë të ditur kopshti zoologjik në një njoftim për media, të përcjellë nga telebasel, Qëndrimi, i biri i gjirafës 10 vjeçe, Kianga, në momentin e lindjes ka peshuar 71 kilogramë. Babai i Qendrimit është Xamburu, 10 vjeç.
Që nga moementet e para të ardhjes në jetë, Qendrimi është treguar i fuqishëm dhe është ngritur në këmbët e veta vetëm gjysmë ore pas lindjes. Nuk ka shkuar as një orë e plotë deri në momentin kur ai ka filluar të thithë në gjirin e së ëmës.