(2L ONLINE)- Këtë vit Gjimnazi “Zenel Hajdini” në Gjilan, kremton ditëlindjen jubilare të 70-tën më rradhë. Kjo shkollë krahas suksesit në mësime, tashmë do të njihet edhe si vatër e kampionëve të shumtë që ka brenda saj. Nxënësit e kësaj shkolle kanë regjistruar rezultate mbresëlënëse në garat sportive të organizuar nga shoqata e pedagogëve të Kulturës Fizike dhe të Sportit, në nivel komunal, regjional dhe republikan. Nuk mbahet mend ndonjëherë që ndonjë shkollë në nivel vendi të ketë arritur gjithë këto suksese.
Fillimisht nxënësit e kësaj shkolle ishin të pakonkurencë në garat komunale dhe regjionale duke rrëmbyer nga shtatë medalje të arta në secilën prej tyre, gjithsej 14 për të vazhduar më pas në garat republikane. Qershia mbi tortë vjen pikërisht në nivel vendi, nga gjimnazistët e rinjë që fitojnë tre medalje të arta, dy të argjenda dhe një të bronztë.
Drejtori i Gjimnazit “Zenel Hajdini”, Sami Hoxha në një prononcim për portalin “2lonline” u shpreh më se i lumtur me suksesin e arritur nga nxënësit e tij deri sa premton punë dhe angazhim edhe më të madh në të ardhmen.
“Jemi shumë të lumtur ne si drejtori e kësaj shkolle kur shohim rezultatin kulminante të arritura nga nxënësit tanë. Pa dyshim se merita kryesore e gjithë këtij suksesi janë vetë nxënësit dhe puna e palodhshme e pedagogëve të kësaj shkolle të cilët lirisht mund të themi se i kemi më të mirët në vend”.
Hoxha në vazhdim theksoi se drejtoria e kësaj shkolle në vazhdimësi do të punojë që ti ofrojë kushte sa më cilësore profesorëve të Kulturës Fizike në mënyrë që ta shpalosin plan programin e tyre në përpikëmëri.
“Në të ardhmen do të punojmë edhe më shumë. Ne jemi duke punuar në vazhdimësi që mësimdhënësve të kësaj shkole t’u ofrojmë kushte sa më të mira në mënyrë që ata ta prezantojnë plan programin e tyre sa më mire para nxënësve dhe kështu suksesit do ti kemi të garantuara edhe në të ardhmen”, përfundoi Hoxha.
Profesorët e Kulturës Fizike në Gjimnazin “Zenel Hajdini”
1. Prof. Refik Rexhepaj
2. Prof. Reshat Syla
3. Mr.sc. Muhib Sahiti
4. Prof. Blerim Shala
5. Mr.sc. Arben Hoxha
6. Mr.sc. Selami Haziri dhe
7. Mr.sc. Arben Zeqiri
Edhe profesorët e gjimnazit janë ndarë jashtëzakonisht shumë të kënaqur me rezutatet e arritura nga nxënësit e tyre, ndërkohë premtojnë punë dhe angazhim edhe më të madh.
Me vashat hendbolliste të gjimnazit kampion në nivel shtetëror dolën pedagogët Muhib Sahiti dhe Arben Hoxha. Për këtë sukses të madh Mr.sc. Muhib Sahiti u shpreh: “Jemi shumë të kënaqur me këtë sukses i cili është meritë e udheheqësisë së shkollës me në krye drejtorin Sami Hoxha, meritë e gjithë pedagogëve të kultures fizike e meritat më të medha i kanë veetë nxenësit që ishin të mrekullueshem përgjatë gjithë rrugëtimit tonë drejt të shpallurit kampion republikan. Shpresojmë që edhe në të ardhmen të kemi suksese të tilla nëse jemi të vendosur që të vazhdpjmë me të njejtin ritëm të punes”.
Kampion në nivel vendi dolën edhe Arben Zeqiri dhe Selami Haziri. Zeqiri një ish futbollist i suksesshëm që tani ushtron zejen e trajnerit me plotë sukses, thotë se ky sukses do të jetë motivacion shtesë që në të ardhmen të kenë rezultate ende më të ndritura.
“Sinqerisht të ju them është ndjenjë e papershkrueshme e të qenurit kampion shtetëror, në disa sporte e në këtë rast në futboll në sportin më popullor në botë. Qasja, angazhimi, përkushtimi, sakrifica dhe profesionalizmi i kësaj gjenerate futbollistësh do të jenë shembull për tu ndjekur nga të gjithë sportistët gjimnazistë në të ardhmen. Ishin të mrekullueshëm dhe shembull për tu ndjekur në të gjitha drejtimet. Ne pedagogët e kulturës fizike mburremi që punuam e u pergatitëm këta tre muaj me nxenës e sportistë të tillë, ngase tashme falë suksesit të arritur jemi pjesë e historisë së shkollës elitare të anamoravës dhe këto suksese nuk mbahet mend ti ketë shënuar ndonjë shkollë tjeter. Gjithë këto suksesi i kemi arritur në bashkëpunim me gjithë pedagogët e gjimnazit e në veçanti me Selami Haziri, me të cilin kemi udhëhequr skuadrën e futbollit drejt titullit kampion në nivel vendi”, përfundoi Zeqiri.
Pa dyshim se meritë kryesore për këtë sukses janë vetë nxënësit e kësaj shkolle. Selatin Hasani kapiten i eikipit të meshkujve në futsall në një prononcim për “2lonline” u shpreh: “Ky është një rezultat i merituar ku bindshëm i kemi mposhtur të gjithë kundërshtarët më radhë në gara komunale, regjionale pastaj edhe në ato republikane për tu shpallur kampion shtetëror. E gjithë kjo meritë është e profesorëve të Ed. fizike e veçmas trajenrit tonë Arben Zeqiri, mbështetja e pa reservë e drejtorisë së shkollës. Gjithashtu meritë të madhe e meritë e madhe është edhe ajo e bashklojtarëve të mi që janë bindshëm më të mirët në Kosovë. Shpresojmë që në të ardhmen gjimnazi të përsërit suksese të njejta”, përfundoi Hasani.
• GJIMNAZI ”ZENEL HAJDINI” – GJILAN
KAMPION I REPUBLIKËS SË KOSOVËS NË FUTBOLL (M);
KAMPION I REPUBLIKËS SË KOSOVËS NË HENDBOLL (F);
KAMPION I REPUBLIKËS SË KOSOVËS NË VOLEJBOLL (F);,
NËNKAMPION I REPUBLIKËS SË KOSOVËS NË VOLEJBOLL(M);
NËNKAMPION I REPUBLIKËS SË KOSOVËS NË FUTBOLL (F);
VENDI I TRETË NË REPUBLIKËN E KOSOVËS NË:
BASKETBOLL (F);
BASKETBOLL (M);
HENDBOLL (M).
/Drilon SYLEJMANI/ 2L ONLINE/