Komuna e Gjilanit, respektivisht Drejtoria e Urbanizëm, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi në fushën e planifikimit, projektimit dhe arkitekturës në përgjithësi me Asociacionin e Arkitektëve të Kosovës, njëkohësisht është bërë prezantimi i Bienales së Arkitekturës 2018.
Në fjalën e tij, drejtori i Urbanizmit, Bekim Bajrami, ka thënë se ky takim është i veçantë sepse është një bashkim i arkitektëve dhe njëkohësisht është një ndihmesë për projektimin dhe arkitekturën në përgjithësi në Komunën e Gjilanit.
Bajrami ka kërkuar nga arkitektët gjilanas që të konkurrojnë me projekte të realizuara deri më 31 dhjetor 2018 në Bienalen e Arkitekturës, sepse Asociacioni do t’t përzgjedh fituesit në 14 kategori, duke përfshirë edhe dy çmime.
E nga ana e tij, Arianit Loxha, nga Asociacionit, ka thënë se deri më tani kanë të anëtarësuar mbi 200 arkitektë, por me bashkangjitjen edhe të Gjilanit, ky rreth do të zgjerohet edhe më tutje.
Ai ka potencuar se bashkëpunimi dhe mbledhja e përbashkët mes arkitektëve ka qëllimin kryesor që të bëhet një profesionalizëm më i lartë në aspektin e planifikimit, projektimit, por edhe projekteve në përgjithësi sa i përket fushës së arkitekturës.
Loxha ka bërë të ditur se bashkimi i zërit të arkitektëve është një ndihmesë e madhe edhe për institucionet e Kosovës, sepse krijohen hallkat e fuqishme të planifikimit afatgjatë.
Ndërkaq, Blerta Vula, ka prezantuar Bienalen e Arkitekturës 2018, duke njoftuar edhe për anëtarësimet, kategoritë e aplikimit dhe gala darkën e arkitektëve e cila është planifikuar të mbahet gjatë muajit shkurt të vitit 2019.
Për ndryshe, Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës, ka hapur konkursin për “Bienalen e Arkitektures 2018” e cila organizohet për herë të parë në Kosovë dhe ka rëndësi,sepse mundëson njohjen, vlerësimin dhe nderimin e punës profesionale të arkitektëve në Kosovë dhe njëkohësisht pretendohet të ngritet dhe aktivizohet komuniteti i Arkitektëve.