Komuna e Gjilanit është vlerësuar si shembulli më i mirë i kultivimit të dialogut ndër-fetar nga institucionet ndërkombëtare, siç është Ambasada Amerikane, Zyra e BE’së në Kosovë, Zyra e OKB’së, Zyra ndërlidhëse e Greqisë, Zyra e OSBE’së, përfaqësuesit e komunave të regjionit, sikurse edhe përfaqësuesit e bashkësive fetare.
Ky vlerësim është dhënë sot në takimin e organizuar nga kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ku të pranishëm ishin Maja Markovic nga Ambasada Amerikane, M.E Chryssoula Aliferi, ambasadore e Greqisë, Leonid Markaryan nga Zyra e OKB’së në Kosovë (UNMIK), Visar Gjakova nga Zyra Rajonale e OSBE’së në Gjilan, Stefan Gnocchi nga Zyra e BE’së, Naim Aliu nga Bashkësia Islame, Don Jeton Thaqi nga Kisha Katolike, Naim Bllaca nga Kisha Protestante, Don Oscar Tossuno nga Don Bosko, Sokol Haliti, kryetar i Vitisë e Goran Ilic, drejtor komunal në Partesh.
Kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, pasi i falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe vlerësimin e lartë, theksoi se Komuna në vazhdimësi e ka lehtësuar dialogun ndër-fetar, pasi sipas tij, diversiteti kulturor, fetar e etnik në Gjilan vlerësohet si vlerë.
“Pandemia i ka suspenduar shumë aktivitete në Gjilan, edhe forumet për kultivim të dialogut ndër-fetar, por krerët e bashkësive fetare kanë dhënë kontribut të madh në komunën tonë, sidomos në atë aspektin e solidaritetit për ta përvalluar këtë këtë problem. Unë jam krenar me dialogun ndër-fetar që është zhvilluar tash e sa vite në Gjilan, e në veçanti, jam krenar me promovimin e dialogut tek të rinjtë e komunës sonë, të cilët kanë pasur disa projekte e aktivitete të përbashkëta”, ka thënë Haziri.
M.E Chryssoula Aliferi, ambasadore e Greqisë, e ka përgëzuar kryetarin Haziri për këtë takim, prej të cilit ka uruar që të dilet me ide pozitive, ndërsa Visar Gjakova, drejtor i Zyrës Rajonale të OSBE’së në Gjilan, ka konfirmuar mbështetjen e vazhdueshme për lehtësimin e dialogut ndër-fetar në vazhdimësi.
Maja Markovic nga Ambasada Amerikane, e ka përshëndetur iniciativën e kryetarit Haziri për këtë takim dhe takimet në të kaluaren, e në veçanti për kultivimin e dialogut tek të rinjtë e Gjilanit.
Leonid Markaryan nga Zyra e OKB’së në Kosovë (UNMIK), tha se tashmë botërish dihet se sa shumë i ka dedikuar kultivimit të dialogut ndër-fetar lidershipi i Gjilanit, duke shfaqur shpresën e organizimit të takimeve edhe në të ardhmen.
Stefan Gnocchi nga Zyra e BE’së, tha se kultivimi i dialogut është shumë me rëndësi në këto kohë të vështira që po kalon Kosova dhe bota si pasojë e pandemisë COVID-19.
Takimin e ka përshëndetur edhe kryetari i Vitisë Solol Haliti sikurse edhe Goran Ilic nga Komuna e Parteshit.
Ndërkohë, kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan, Naim Aliu, e ka përgëzuar kryetarin e Gjilanit për këtë takim të përbashkët, për ta përjetuar harmoninë fetare mes nesh.
“Dialogu është shumë i rëndësishëm sepse është njohje mes njëri-tjetrit. Islami nuk është kundër asnjë besimi, por feja jonë thotë se midis nesh duhet të mbizotërojë dashuria dhe të luftohet urrejtja”, ka thënë Aliu.
Don Jeton Thaqi nga Kisha Katolike konfirmoi se do të vazhdojnë ta japin kontributin në për kultivimin e dialogut ndër-fetar, i cili, sipas tij, ka ndikuar në krijimin e raporteve të mrekullueshme mes vete.
Shej Muhamet Shehi nga komuniteti Saadi dhe Naim Bllaca nga Kisha Protestante, janë shprehur se takimet e tilla janë të mirëseardhura për zgjidhjen e problemeve eventuale.
Don Oscar Tossuno nga Don Bosko, theksoi se ‘ne jemi krijesa të Zotit për të krijuar lidhje mes veti”.
Përndryshe, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka paralajmëruar se takimet e ardhshme do të vazhdojnë në tetor dhe për gjatë një viti do të organizohen aktivitete të përbashkëta me përfaqësuesit dhe të rinjtë e të gjitha bashkësive fetare. /2LONLINE.com/