/2L ONLINE/ – Drejtoria e Bujqësisë e Komunës së Gjilanit, ka subvencionuar sot 40 farmerë me fidane të mjedrës, projekt ky i cili po implementohet në partneritet me kompaninë “Fresh Fruit” dhe mbështetje të USAID.
Drejtori i Bujqësisë në Gjilan, Ramiz Ramadani, ka thënë se vëmendje të veçantë i kanë kushtuar përzgjedhjes së farmerëve nga viset e larta, ngase kultura e mjedrës i përballon këto terrene.
“Materiali fidanor është i cilësisë së lartë, varieteti Polka dhe është me origjinë nga Polonia. Pra, është i njejti material fidanor të cilin bujqit e kanë marrë në pranverë dhe nga monitorimi që e kemi pasur ne si Drejtori, te shumica e farmerëve janë arritur rezultate brilante”, ka thënë drejtori i Bujqësisë në Gjilan, Ramiz Ramadani.
“Me këtë projekt, po i përmbyllim investimet e planifikuara për këtë vit në bujqësi, të cilin e vlerësojmë si vit shumë të suksesshëm, për çka në mënyrë të veçantë e falënderoj kryetarin Haziri për mbështetjen e vazhdueshme dhe me prioritet të këtij sektori”, ka shtuar Ramadani.
Ilir Kozhani, nga projekti i “Agro” i USAID, ka thënë se qëllimi i mbështetjes është që këta farmerë të punësohen dhe të jetojnë nga duartë e tyre, nga toka e tyre.
Ndërsa, farmeri Shefki Latifi nga fshati Kmetoc, ka falënderuar Komunën e Gjilanit për këtë subvencionim, duke thënë se ky është lehtësim i madh për të dhe familjen e tij, për funksionalizimin e kësaj veprimtarie.
Vlera e këtij projekti është 60 mijë euro, ku Komuna ka paricipuar me 50 për qind të shumës dhe partneriteti strategjik po ashtu me gjysmën e shumës. Për këtë përkrahje të bujqve gjilanas, kompania “Fresh Fruit” mbështetet nga USAID në ngritjen e kapaciteteve përpunuese. /2L ONLINE/