Komuna e Gjilanit ka nxjerrë në publik buletinin informativ për periudhën korrik-dhjetor të vitit 2016, duke e mbajtur kështu të informuar qytetarin për të gjitha punët dhe zhvillimet brenda Komunës.
Buletinin informativ e ka përgatitur Zyra për Informim Publik, është mjaft voluminoz me 147 faqe, në të cilin është përfshirë puna e gjashtë mujorit të dytë e vitit 2016 e ekzekutivit dhe e legjislativit.
Revista informative periodike nis me editorialin e kryetarit të Komunës, për të vazhduar me paraqitjen e punëve në infrastrukturë, bujqësi, arsim, shëndetësi, e kulturë, rini e sport, sikurse edhe punën e Kuvendit Komunal, përfshirë ballafaqimet pozitë-opozitë.
Edhe ky Buletin i radhës është publikuar vetëm në versionin elektronik, në ueb faqen zyrtare të Komunës, për shkak të ‘dietës’ në shpenzime të vendosur nga ana e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, sqaron Zyra për Informim Publik e komunës.
Kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka falënderuar Zyrën për Informim për punën profesionale, duke thënë se nxjerrja e kësaj reviste informative është edhe një hap i madh i transparencës komunale karshi publikut.
“Komuna e Gjilanit tash e tri vite është kampion për transparencë në nivel vendi. Këtë nuk po e themi ne. Ky është vlerësim i organizatave të fuqishme vendore e ndërkombëtare.
Nxjerrja e Buletinit është vazhdim i punës së madhe sa i përket transparecës ndaj publikut. Alfa dhe omega e qeverisjes komunale është transparenca dhe qeverisja me dyer të hapura dhe duar të pastra”, ka deklaruar kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.