Shkruan: Leonard Miftaraj
/2L ONLINE/ Gjilani po qeverisët keq në emër të zgjidhjes së problemeve, e këto pasoja do t’i vuajnë Kultura, Rinia dhe Sporti.
Dëshira për të rritur klientelizmin brenda institucioneve, ka çuar edhe kërkesën e udhëheqëseve të Komunës së Gjilanit për ta mbyllur drejtoratin për kulturë rini dhe sport, e të njëjtën për ta ndarë në sektorë të veçantë. Arsyet mund të kërkohen në kohën e fushatës kur kryetari Haziri i ka premtuar 10 personave një drejtorat.
Sot, pamundësia për të realizuar premtimet klienteliste dhe ndoshta edhe presioni i atyre që i ndihmuan në fushatë e ka nxitur kryetarin për të bërë një ndryshim jo profitabil për kulturën sportin dhe rininë e Gjilanit.
Për të treguar se të gjitha këto akuza janë të bazuara në fakte, unë po filloj nga një premtim i kryetarit Haziri, i cili në fushatë u ka premtuar klubeve buxhet të veçantë për secilin klub. Burimi i kësaj informate mbi premtimin e kryetarit është marrë nga instituti GAP, ndërsa në projekt buxhetin e hartuar nga “ekspertet” e komunës bashkë me kryetarin Haziri nuk është paraparë plotësimi i këtij premtimi.
Mospërmbushja e premtimeve tregon edhe për një mungesë të aftësisë së kësaj qeverisje karshi njohjes së kapacitetit financiar të komunës. Për ta bërë edhe më keq, kjo qeverisje e marketingut në njërën nga seancat ka aprovuar një vendim ku ka ndarë 70 mijë euro bursa për studentë ku pastaj është bërë bujë e madhe në të gjitha gazetat dhe televizionet. Ndërkohë në buxhetin zyrtar te komunës zëri buxhetor subvencionet në arsim dhe shkencë janë vetëm 50 mije euro.
Kryetari i Gjilanit dhe bashkëpunëtorët e tij nga gjithë buxheti i komunës kanë ndarë 2% për Rininë, Kulturën dhe Sportin. Edhe pse ky 2% është shumë i varfër karshi nevojave, prapë, 35% brenda 2 %, shpenzohet për paga të punëtorëve brenda drejtoratit. Klubi Basketbollit Drita pikërisht nga neglizhenca e kësaj komune dhe mos përmbushja e detyrimeve ndaj federatës është pezulluar nga garat e Basketbollit, prandaj të tentosh të rritësh staf brenda institucioneve kur klubet dhe rinia ka nevojë që buxheti të shpërndahet në drejtim të tyre, tregon se në Gjilan nga zgjedhjet komunale kanë ndryshuar vetëm emrat.
Biblioteka e nisur ne qytet e cila po amortizohet çdo ditë e më shumë sepse është lënë në gjysmë, dhe ky kryetar nuk pati guximin që luftën kundër korrupsionit ta fillojë pikërisht mbi këtë projekt. Aty do të duhej të shikohej arsyeja e ndërprerjes së punëve. Edhe më keq, pikërisht në qeverisjen e këtij
kryetari, filloi ndërtimi i Qendrës Rinore në Gjilan dhe pikërisht edhe aty punimet u ndërprenë shkaku i një problemi “teknik” sipas informatave nga zyrtarët e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Në investime kapitale tek sektori Rinisë, Kulturës dhe Sportit nuk është paraparë as edhe një cent për 3 vitet e ardhshme. Kjo ngrit dyshimet tek fjala më e shpeshtë e përdorur nga vet Lutfi Haziri gjatë kohës së fushatës, e deri më sot: “Ushtarët”.
Mos vallë ky kryetar ka kalkuluar gjithë qytetarët si ushtarë dhe pasi që sektori i ushtrisë i takon politikave makro , mund të ndodhë që nuk ka haber për zgjedhjen e problemeve që i takojnë një komune? /2L ONLINE/
/Autori është udhëheqës I nënkomitetit për ekonomi pran Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan/