Shkruan: Qazim AZIZI
Nga sot dhe gjatë tërë një jave në vazhdim, nisma tanimë e ditur e Emira Selimit-studentes nga Shkupi për hapjen e një biblioteke në qytetin e alfabetit, në Manastir do të fillojë edhe në bibliotekën e qytetit tonë .
Me këtë rast, me thirrjen “Biblioteka e Gjilanit për Bibliotekën e Manastirit” ne do t’i bashkëngjitem dhe vazhdojmë që për një javë të grumbullojmë libra për kët bibliotekë.
Kësaj ngjarje në formë bashkëpunimi me OJF “Gruaja Hyjnore” si dhe botuesit, autorët, poetët e shkrimtarët më të vëllimshëm gjilanas, po hyjmë në një Javë të dhurimit të librave e revistave, në ndihmë të formimit të bibliotekës së parë publike të Manastirit. Librat do të tubohen në bibliotekën e qytetit (brenda një jave) që nga data 26 prill deri më 02 maj 2023.
Deri më tani siç e ceka edhe më lart, biblioteka jonë ka ndarë një numër të konsiderueshëm të librave por edhe të revistave që parashihet se do të jenë më interesante për formimin e fondit të një biblioteke.
Është përpiluar një listë e gjatë e librave dhe veprave dhe qëllimshëm janë marrë nga opusi i gjerë i autorëve të vendlindjes poetëve e prozatorëve si: Sabit Rrustemi e Ramadan Mehmeti, Hysen Këqiku, Ali Huruglica e Avdush Canaj, Baki Krasniqi, Njazi Ramadani, Halil Matoshi e Shaban Emini me këtë rast janë përzgjedhur edhe autorë më të rinj si: Albina Idrizi e Muhamet Halili, Aziz Mustafa e Xhevat XH Latif si dhe shumë autorë e poet tjerë. Nuk janë harruar autorë edhe libra nga lëmitë studimore e shkencore si dr. Faik Shkodra, dr. Bahtijar Kryeziu e Shefik Haliti, po ashtu të autorëve të kritikës letrare Mehmetali Rexhepi e Shefik Shkodra, libra me karakter historik dhe nga trashëgimia të autorëve tanë si: Fehmi Rexhepi, Aliriza Selmani, Mehmet Halimi e Enver Sadiku dhe shumë autorë tjerë gjilanas dhe autorë e shkrimtarë nga Kosova e Shqipëria.
Andaj në këtë rast, thërrasim nga këtu të gjithë ata qytetarë të Gjilanit, të cilët kanë më shumë se një kopje brenda bibliotekave të tyre të dhurojnë një apo më shumë libra për këtë qëllim sa fisnik edhe kombëtar. /2LONLINE/