SC Gjilani ka pësuar humbje si vendës, pasi është mposhtur nga skuadra e Prishtinës 1 me 2, edhe atë , mysafirët triumfuan me përmbysje rezultati.
Ekipi nga kryeqyteti erdhi në Gjilan dhe i mori tri pikë të plotë, në ballafaqim me skuadrën “kuqebardhë’” të Gjilanit, ndeshje kjo që u luajt në kuadër të javës së 31-të të BKT Superligës së Kosovës në futboll.
SC Gjilani pas disfatës së pësuar nga Dukagjini, xhiron e kaluar, e me të cilën edhe humbi hapin për titull kampioni, i ndau rrugët me trajnerin Ismet Munishi dhe vendosi që ekipin ta drejtojë, Alban Hyseni deri në fund të edicionit. Por në ballafaqim me Prishtinën, duket se skuadra nuk u këndell, por pësoi edhe një disfatë, ndonëse e nisi mirë, pasi në këtë takim gjilanasit ishin ata që zhbllokuan rezultatin dhe kaluan në epërsi, përmes Albert Dabiqaj që shënoi në minutën e 33-të.
Por, gjilanasit jo që shënuan më, por nuk munden ta ruajnë as këtë epërsi pasi, prishtinasit përmbysën rezultatin, fillimisht Besnik Krasniqi i barazoi shifrat nga penalltia (45′), e pastaj, në pjesëlojën e dytë, Gauthier Mankenda ia siguroi fitoren Prishtinës, me golin e shënuar në minutën e 80-të.
Gjilanasit mbajnë pozitën e tretë me 55 pikë ndërsa në takimin e radhës janë mysafirë të Ulpianës. /2LONLINE/