Mbjellja e luleve në kuadër të aktiviteteve të shënimit të 20 vjetorit të çlirimit, te rrethi i rrugës katër korsi, përkatësisht tek fabrika e mobiljeve “Palma”, shënon edhe fillimin e implementimit të memorandumeve të mirëkuptimit që kryetari Lutfi Haziri i ka nënshkruar me 10 biznese për mirëmbajtjen e hapësirave të përbashkëta.
“Kjo është simbolikë e partneritetit funksional me dhjetë biznese të suksesshme në Gjilan. Përveç zhvillimit lokal ekonomik e ndërtimit të infrastrukturës, tash po vije në shprehje edhe mirëmbajtja e hapësirave të gjelbërta dhe hapësirave të përbashkëta me bizneset. E falënderoj pronarin e “Palma”, Ekrem Shahinin dhe pronarët e nëntë kompanive tjera që i janë bashkangjitur këtij projekti për ruajtjen e ambientit’, ka thënë kryetari Lutfi Haziri.
“Ne kemi ndërtuar partneritet edhe me fshatrat. “17 Shkurti” e Dobërçanit, shoqata “Pogragja”, “2 prilli” e Lladovës, Zhegra dhe shoqata Përlepnica, kanë ndërtuar partneritet me komunitetin për mirëmbajtjen e hapësirave të përbashkëta të gjelbrimit. Për shtetin tonë duhet të punojmë, ta ruajmë dhe të kujdesemi bashkërisht”, shtoi Haziri.