Gjilan – (2LONLINE) – Turneu Ndërkombëtar më i njohur i boksit në Kosovë, që mbahet për nder të komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari,, mbahet këtë vit për të 15-tën herë me radhë, ndërkohë që praktikat e nisura për rrugëtimin e finales nëpër qytetet tjera jashtë kryeqendrës, e kanë nderuar Gjilanin, që kësaj here, ai të jetë nikoqir i finales së madhe.
Drejtues të Federatës së Boksit, përkatësisht ata nga Këshilli Organizativ thanë se çdo gjë është gati që finalja të organizohet suksesshëm në Gjilan . Ramadan Selimi kryetar i Federatës së Boksit të Kosovës ka thënë se Gjilani si qytet me traditë për boksin e ka merituar ta ketë finalen e finaleve dhe shtoi se në këtë finale të Turneut Ndërkombëtarë “Adem Jashari” do të jenë pjesë boksierë të dëshmuar nga më se 10 shtete të Rajonit.
Selimi tha se pas Ferizajt e Prizrenit ku u organizuan finalet e edicioneve të kaluara, tani finalja e madhe e turneut ndërkombëtar “Adem Jashari” do të mbahet në Gjilan , në kuadër të politikës zhvillimore që po e përkrah Federata e Boksit e Kosovës, për ta masivizuar dhe për ta sjellë afër secilit adhurues të boksit këtë turne, për të cilin ,siç tha Selimi, është një aktivitet më i madh ndërkombëtar i boksit që mbahet në Kosovë.
Ai tha se kështu, duke e bartë finalen prej një qyteti në qytetin tjetër, po e nderojnë edhe heroin legjendar Adem Jasharin i cili ishte i krejt Kosovës.
Edhe drejtori i drejtorisë për Rini, Kulturë e Sport të komunës së Gjilanit, Veton Nevzadi, ka thënë se Gjilani ndihet i privilegjuar që është caktuar të jetë nikoqir i finales së turneut në boks “Adem Jashari” dhe në këtë drejtim komuna nuk ka hezituar ta jap kontributin e saj, derisa edhe Elhami Shabani, kryetar i nën-këshillit organizativ të Gjilanit, tha se ndihet krenar që Klubi i Boksit “Drita” pra është nikoqir i finales së këtij turneu në të cilin pret boks cilësor, andaj edhe ftoi adhuruesit e këtij sporti që të jenë sa më shumë të pranishëm në këtë ngjarje të rëndësishme sportive.
Përndryshe, Turneu “Adem Jashari” ne boks, fillon me 15 nëntor 2013, me dy gjysmëfinalet në Prishtinë, kurse finalja e madhe organizohet në Gjilan, me 16 nëntor, në Palestrën “Bashkim Selishta” nga ora 17:15. /2lonline/