/2L ONLINE/ – Edhe në Komunën e Gjilanit janë të regjistruara rastet kur gjedhet janë prekur nga sëmundja Gungore e lëkurës dhe se sipas drejtuesve të Drejtorisë Komunale të Bujqësisë dhe Pylltarisë, janë në pritje të dozave të vaksinave për të vaksinuar gjedhet në këtë komunë.
Siç mësohet Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës, do ta bëjë furnizimin me ilaç vaksinues për gjedhe, pasi 235 mijë doza veç kanë ardhur nga Afrika e Jugut ndodhen në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Drejtuesit e drejtorisë në fjalë thanë se prej të hënës mund të nis vaksinimi në fjalë.
Ramiz Ramadani, drejtor i Drejtorisë për Bujqësi dhe Pylltari ka bërë të ditur për Portalin 2L ONLINE, se në komunën e Gjilanit janë të diagnostifikuara 30 raste kur gjedhet janë prekur nga sëmundja gungore e lëkurës, ndërsa kemi pas katër raste kur gjedhet kanë ngordhur. Ai shtoi tutje se më parë janë vaksinuar 1 mijë e 700 gjedhe, në fshatrat e brezit kufitar, ndërsa tani me vaksinat e reja që pritet, Agjencioni i Ushqimit dhe Veterinarisë, t’i shpërndajë për ambulantat përkatëse, si në rastin tonë “Fauna” dhe “Preventiva”, të nis dhe të bëhet edhe vaksinimi i më se 5 mijë gjedheve.
Duke folur për efektin e vaksinës, Ramadani tha se gjedhet e prekura, ato që i i përballojnë vaksinës mirë, e marrin veten shumë shpejtë dhe e rikthejnë imunitetin. Ai, ka bërë me dije se gjedhet e prekura nga kjo sëmundje u bije imuniteti, humbin në peshë, në prodhim të qumështit ndërsa ngordhshmëria është 10 për qind.
Nga kjo sëmundje preken vetëm gjedhet dhe buallicat ndërsa kafshët tjera jo, si dhe nuk është e transmetueshme te njerëzit.
Përndryshe, tregu u kafshëve në Gjilan akoma mbetet i mbyllur, dhe kjo sipas Ramadanit, po bëhet si masë parandaluese për t’i ruajtur kafshët. /2L ONLINE/