(2LONLINE) – Në Komunën e Gjilanit burimet alternative për furnizim të qytetarëve me ujë të pijes, kanë nisur të japin rezultate të prekshme, ngase institucionet lokale në bashkëpunim me Kompaninë Regjionale të Ujit “Hidromorava”, sot kanë nisur testimin e puseve ekzistuese në “livadhet e Koretishtës”, thanë drejtues të Komunës.
Me këtë rast kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, i cili shoqërohej nga nënkryetari Rexhep Kadriu dhe drejtorët komunal, ka thënë se Komuna është në fazën e testimeve për të shtuar kapacitetet e furnizimit me ujë
“Jemi në fazën e testimit të burimeve të reja alternative për të shtuar kapacitetet e furnizimit me ujë. Së bashku me kompaninë “Hidromorava” jemi në fazën e testimit dhe analizave të ujit, që do të shërbej për konsum nga ana e qytetarëve. Ky është njëri nga lokacionet që shihet se ka burime të qëndrueshme, pastaj do të vazhdojmë në ish-kampin “Montith” dhe në lokacionin “Fidanishte”, që do të testohet kapaciteti i ujërave nëntokësore atje”.
Haziri ka falënderuar qytetarët për solidaritet, sepse kufizimi dhe regjimi i reduktimeve është luftë kundër thatësisë të cilën duhet ta përballojmë bashkë, me besimin e madh që do të bëhet një zgjidhje e mirë në këtë fazë dhe natyrisht presim edhe reshje.
“Do të bëjmë projekte afatgjate, duke e projektuar zgjidhjen e problemit të ujit edhe për të ardhmen. Kemi poashtu propozime konkrete për mbushje të pendës së Përlepnicës nga burime alternative, të cilin do ta shqyrtojmë me kujdes në mënyrë që problemi për furnizim me ujë të zgjidhet njëherë e përgjithmonë”, ka thënë kryetari Haziri, duke shtuar se pas intervenimit të qeverisë në Komunën e Prishtinës obligim shtetëror në të cilin shpresojmë ne, është që edhe Gjilani të ketë mbështetjen e qeverisë nga rezervat shtetërore në mënyrë që të luftohet thatësia.
“Ne të vetëm po luftojmë shumë në këtë drejtim, por pa mbështetjen financiare do të jemi të pafuqishëm ta zgjidhim problemin. Ne deri atëherë, me kursim të ujit, me komunikim me publikun dhe me biseda me qytetarët do të tregojmë gjendjen që e kemi, por nëse kursehet çdo gotë uji, çdo litër, do të ndihmojë shumë që thatësia të përballohet më lehtë, theksoi kryetari Haziri.
Ndërsa udhëheqësi i task-forcës për menaxhimin e thatësisë, nënkryetari Rexhep Kadriu, ka thënë se angazhimi është maksimal dhe po punojmë vazhdimisht në terren që të gjejmë zgjidhjen adekuate për qytetarët tanë.
“Jemi për çdo ditë në terren, sot jemi këtu për testimin e dy puseve të hapura më herët, por do të punojmë me kompaninë që të hapim së paku edhe tri puse të tjera në këtë lokacion, ku parashohim të fitojmë të paktën 25 litra për sekondë, që do të ndikoj në zbutjen e gjendjes në të cilën jemi”, ka thënë Kadriu duke treguar se janë duke shqyrtuar edhe lokacione të tjera për burime nëntokësore.
Nga ana tjetër Mumin Morina, nga KRU “Hidromorava”, ka thënë se zotimi dhe mbështetja e konfirmuar nga ana e kryetarit për angazhim direkt në zgjidhjen e problemit të ujitë është një lehtësi e madhe për Kompaninë.
“Mbështetja dhe angazhimi i kryetarit e kanë bërë shumë më të lehtë punën e Kompanisë, lidhur me furnizimin me ujë të pijes. Rezultatet e para po shihen tashmë në këtë lokacion. Furnizimi me ujë për momentin është i vështirësuar, sepse kemi vetëm 50 l/s, nga penda e Përlepnicës, diku rreth 60 l/s nga burimi në fsh. Velekincë dhe 20 l/s nga burimi “Baja”, që në total i bie se kemi më pak se gjysmën e sasisë së ujit që i nevojitet qytetit, mirëpo përmes reduktimeve qytetarët veç janë adaptuar me këtë formë, por me mbështetjen e kryetarit dhe angazhimit të Task-Forcës dhe me shpresën se do të kemi reshje në ditët në vijim, besojmë shumë që zgjidhja do të bëhet”, tha ai.
Ndryshe, nga kjo vizitë është apeluar tek qytetarët që të ketë një kujdes maksimal sa i përket harxhimit të ujit, sepse në të kundërtën është shumë i vështirë furnizimi me ujë. /2lonline/