Gjilani në dy javët e fundit ka shënuar ngritje të numrit të të prekurve me virusin korona. Atëherë kur u duk se lakorja e të infektuarve me COVID-19, po bie dhe po ngritët numri i të shëruarve, duke bërë që kjo komunë të shkoi drejt zeros, sa i përket rasteve aktive, në dy javët e fundit ndërruan gjërat pasi filluan të shtoheshin rastet pozitive me COVID-19, e që kjo bëri që sot Gjilani t’i ketë aktualisht 222 raste aktive.
Përndryshe, Portali 2LONLINE.com i ka analizuar statistikat e ditëve të fundit të të prekurve nga ky virus dhe ka gjetur se Komuna e Gjilanit vetëm në dhjetë ditët e fundit (19 TETOR – 28 TETOR), bazuar në të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka regjistruar 182 raste të reja të të infektuarve me COVID-19, transmeton 2LONLINE.com.
Brenda këtyre dhjetë ditëve, ka qenë data 22 tetor kur janë regjistruar më së shumti raste, 34 sosh, ndërsa më 21 tetor, janë regjistruar më së paku, 9 raste. (28 tetor – 15 raste, 27 tetor – 17 raste, 26 tetor – 18 raste, 25 tetor – 20 raste, 24 tetor – 13 raste, 23 tetor – 16 raste, 22 tetor – 34 raste, 21 tetor – 9 raste, 20 tetor – 16 raste, 19 tetor – 24 raste)
Kur jemi te lokalitetet e të të prekurve me COVID-19, gjithnjë duke pas parasysh statistikat në dhjetëditëshin e fundit, prin Gjilani me 153 raste, Përlepnica me 12 raste, Bresalci me 5 raste, Livoç i Ulët dhe Zhegra me nga 3 raste dhe Cernicë, Livoç i Epërm dhe Velekinca me nga 2 raste.
Bazuar në të dhënat e dala nga Komiteti Komunal i Emergjencave civile për parandalimin e përhapjes së Covid-19, që nga regjistrimi i rastit të parë e deri më sot, në Komunën e Gjilanit kishim 1 mijë e 323 të infektuar në total, prej tyre 48 persona kanë ndërruar jetë, 222 raste janë aktive, të tjerët janë shëruar plotësisht.
Përndryshe, kreu i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka kërkuar nga qytetarët që t’i bartin maskat, t’i pastrojnë duart dhe ta ruajnë distancën mes vete. Ai ka thënë se jemi në sezonin e vjeshtës me pritje të frikshme, por me besim të madh që kemi me e menaxhue drejtë. Haziri ka thënë kemi nevojë për lojalitet dhe solidaritet. Ai po ashtu ka njoftuar se deri në fund të muajit nëntor, regjioni do ta ketë edhe laboratorin për testim me metodën PCR. /2LONLINE.com/
Mbaje distancën, përdore maskën dhe pastro duart!