Me rastin e 27-vjetorit të Shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë së 2 korrikut 1990, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka ndarë mirënjohje të veçanta për katër delegatët e asaj kohe nga Gjilani.
Mirënjohje i është ndarë Isa Shefkiut, Isuf Konjufcës e Skender Aliu, ndërkaq Post Mortum për delegatin Zijadin Salihu.
“Delgatët e Kuvendit të Krahinës së Kosovës në vitet më të rënda dhe në ballafaqimin më të egër, arritën ta sublimojnë kërkesën e popullit të Kosovës dhe qytetarëve të Gjilanit, në mënyrë që të ecet në kërkesën për Republikë. Shpallja e Deklaratës së Pavarësisë është themeli më i fuqishëm i deklarimit të qytetarëve për Republikë dhe de fakto e de jure kjo është data historike e themelimit të Republikës, ndërkaq 17 shkurti 2008 mbetet rishpallje dhe pranim ndërkombëtar i Republikës. Unë e kam pasur fatin të jem deputet i shpalljes së Pavarësisë në vitin 2008”, tha Haziri.
Kryetari Haziri tha se këta do të mbeten delegatët që e kanë themeluar Republikën me vullnet të qytetarëve dhe me sakrificën e tyre.
“Shumë prej tyre është dashur të dagdisen në krejtë botën, t’i ikin presionit të burgosjes dhe torturave të kohës, duke e lënë në mëshirë të kohës familjet e tyre, por duke mos e vendosur në pikëpyetje vullnetin e qytetarëve. 27 vjet pas, unë i falënderoj shumë. Në atë kohë unë kam qenë i moshës së re dhe i Brezit të Republikës. Deri më 2 korrik nuk ka pasur brez tjetër përpos të të burgosurve politikë, të vrarëve, e të pushkatuarve”, shtoi Haziri.
I pari i gjilanasve konfirmoi se në objektin e Komunës do t’i vendosin fotografitë dhe emrat e delegatëve me shkronjat e arta, në mënyrë që gjeneratat e reja t’i shohin kush kanë qenë ata që e kanë përfaqësuar interesin tonë të përbashkët.