Kf.Gjilani ka pësuar debakël në Mitrovicë, është mposhtur përballë Trepçës ’89 (4-1) në kuadër të javës së parë të Superligës.
Kjo humbje e thellë ka zhgënjyer të gjithë, marrë parasysh përforcimet dhe milionat e shpenzuar për transferime.
I dëshpëruar ka folur edhe kryetrajneri gjilanas pas ndeshjes, Gentjan Mezani.
“Diçka që duhej të ndodhte e që na kthen në realitet dhe ta kuptojmë futbollin kosovar sepse ishte rezultat i thellë dhe nuk përbihet dot. Besoj nga java e ardhshme lojtarët do të jenë me këmbë në tokë”.
Ai shtoi se skuadra duhet kohë për t’u komponuar dhe transferimet nga Shqipëria akoma s’e njohin cilësinë e futbollit kosovar.
“Transferimet nga Shqipëria nuk e kanë kuptuar lojën në Kosovë, nuk janë të bindur në cilësinë e futbollit këtu. Futbolli është i vështirë dhe ky është një faktor që unë jam munduar t’iu bëjë të ditur lojtarëve para ndeshjes, por që nuk kam mundur t’iu ngulisë në kokat e tyre këtë gjë”, përfundoi ai.
Gjilani e sheh vetën në pozitën e fundit pas javës së parë.