Kf.Gjilani ka mposhtur Kf. Llapin me rezultat 2:0 në xhiron e 14-të të Vaka Super ligës në futboll.
Ishin mysafirët të parët që rrezikuan me anë të dy rasteve të lëshuara, ndërsa pas dominimit, Gjilani ndëshkoi Llapin me anë të golit të Gëzim Rusit në minutën e 17-të.
Pas golit, Llapi kërkoi me ngulm golin e barazimit duke rrezikuar me anë të Shabanit, Begollit e Blakcorit, por në vend ishte portieri vendas Kaçiu. Ky ishte edhe rezultati final i pjesës së parë.
Më tej, pjesa e dytë ishte më e baraspeshuar me raste nga të dyja anët deri në minutën e 81, kur i saktë u tregua sërish Gëzim Rusi për golin e dytë të Kf.Gjilani.
Deri në fund të takimit raste të pa konkretizuara karakterizuan ndeshjen dhe një të tillë e lëshoi edhe Rusi, në minutën e 90-të të takimit.
Pas ndeshjes, trajneri Arbnor Morina tha se ekipi i tij e deshi më shumë fitoren dhe se ajo ka peshë për ekipin kuq e bardhë.
“I shfrytëzuam rastet që patëm. Edhe Llapi ka mundur të shënojë, pasi kishte disa mundësi. Por, ne e kemi dashur më shumë fitoren dhe e arritëm. Kjo fitore për neve çon shumë peshë. Unë kam thënë, që nuk është Llapi rastësisht në kreun e futbollit kosovar qe disa vjet. Mirëpo, për ne ka qenë e rëndësishme që mundemi, duam dhe ia dalim të fitojmë edhe sfida ndaj kundërshtarëve të tillë”, ka thënë kryetrajneri Morina, transmeton 2LONLINE.
Me këtë fitore Kf.Gjilani ngritët në pozitën e tretë në tabelë me 23 pikë, ndërsa 25 pikë ka Kf.Prishtina në pozitën e dytë, ndërsa mbesin në ndjekje Kf.Llapit, i cili me vetëm 1 pikë, respektivisht tri pikë, më shumë se Prishtina e Gjilani, është në pozitën e parë.
Radhitja tabelore nuk ka qenë asnjëherë aq e paparashikuar sa në këtë edicion, pasi nga java në javë ka ndryshime duke e bërë që gara për titull të mos ketë asnjë klub favorit absolut. /Elife Sherifi/