(2L ONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri ka hapur konferencën e parë Shkencore Regjionale (Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Serbi, Mali i Zi ) me temën: “E drejta dhe kultura politike si faktor ndikues në ndërtimin e shtetit modern”, e cila organizohet nga Instituti për studime ligjore dhe demokratike.
Në fjalën e hapjes, kryetari Haziri u shpreh se kjo është një mundësi e madhe e bashkëpunimit, përmes gjetjes së rrugëve dhe formave t’i largojmë të gjitha pengesat në qarkullimin e lirë të qytetarëve tanë e të mallrave.
“Ju lus që gjatë kësaj konference të angazhoheni, të punoni, t’i ndani të gjitha mendimet e kërkesat sepse Gjilani është në një pikë interesante nëse e shohim hartën e Kosovës të Vjenës, në trekëndëshin kufitar që njihet si ‘këmba e pulës’. Kjo është një mundësi e madhe që përveç bashkëpunimit dhe përmes veprimit të aktiviteteve të përbashkëta, përmes gjetjes së rrugëve dhe formave, të adaptojmë një mundësi krejt tjetër që të bashkëpunojmë dhe t’i largojmë të gjitha pengesat që edhe sot njihen dhe i prekin qytetarët tanë në qarkullimin e lirë të njerëzve, në qarkullimin e lirë të mallrave etj”, tha kryetari Haziri.
Haziri ka theksuar se “Ka më shumë se një dekadë që punojmë 17 kryetar të komunave të regjionit në mënyrë që të realizojnë aktivitete agjenda, forma, jo vetëm arsimi e kultura si dy sektorët domosdoshmërisht duhet të bashkëpunojnë, por edhe rrugë e sektore të tjera në mënyrë që të gjenden rrugë të largohen këto pengesa që kjo pjesë i njeh dhe i ka paguar shumë shtrenjtë”.
Kreu i Gjilanit ka thënë se sivjet është 70 vjetori i masakrës së madhe të Gjilanit, ku pësuan më shumë se 60 për qind e popullatës.
“Po e përmendi vetëm sa për dëshmi që sivjet është 70-vjetori i masakrës së madhe të Gjilanit, ku me 21 dhe 22 dhjetor ka përgjysmuar mbi 60 për qind të popullatës dhe mbi 60 për qind të njerëzve të moshës madhore janë vrarë. Sot e asaj dite shumica prej të vrarve nuk dihen ku janë. Kjejt kjo është bërë për territore, që sot e kemi si pjesë të angazhimeve tona të përbashkëta. Pres me padurim t’i shoh konkluzionet e kësaj konference”, ka thënë kryetari Haziri.
Në këtë konferencë do të paraqiten me punime e fjalë përshëndetëse edhe Nazmi Maliqi, Arben Dërmaku, Nagip Arifi, Sokol Haliti, Elez Osmani, Arsim Sinani dhe Flamur Hyseni.
Konferenca, e cila ka nisur sot në ora 10:00 përfundon në ora 18:00. /2LONLINE/