Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, i shoqëruar edhe nga komandanti i Stacionit të Policisë në Gjilanit dhe drejtori i Shëndetësisë, kanë vizituar shkollën e komunitetit rom, duke i dorëzuar pajisje të teknologjisë informative, të cilat nga nxënësit do të përdoren për të ndjekur mësimin online.
Këtë donacion të cilin e kanë dorëzuar në shkollën e këtij komuniteti në lagjen Elez Agushi nënkryetari Ismajli ka njoftuar se është dhënë kompania Led-Com të cilët i ka falënderuar.
“Kompania Led-Com, ka dhënë dhjetë kompjuterë dhe laptop për t’u shfrytëzuar nga fëmijët e komunitetit rom, për procesin mësimor online. Gjithashtu, derisa ishim në shkollën e këtij komuniteti kemi marrë konfirmimin edhe për 10 kompjuterë të tjerë nga e njejta kompani. Mbështetja e tjetrit në ditë të vështira është vlerë e cila na dallon. Shansi për mësim duhet t’i jepet secilit dhe ne këtë po mundohemi ta bëjmë së bashku edhe me donatorët në këtë kohë pandemie”, ka thënë ndër të tjerash nënkryetari Ismajli.
Ai, gjithashtu, ka potencuar edhe mbështetjen për 120 familje rome, 80 familje serbe dhe 26 familje turke, me pako ushqimore, mbështetje me produkte medicinale dhe me mjete mbrojtëse në këtë kohë pandemie.
Me këtë rast komuniteti rom, përfaqësuesit e tyre, drejtoresha e shkollës dhe prindërit e fëmijëve, ishin falënderues për kushtet e krijuara për mësimin online.