/2L ONLINE/ – Nën organizimin e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri është mbajtur sot takimi publik me qytetarë, i dhjeti për dy vite të kësaj qeverisje, ku kanë marrë pjesë edhe kryesuesja e Kuvendit, Valentina Bunjaku-Rexhepi, nënkryetari Rexhep Kadriu si dhe drejtorë komunalë. Qytetarët, të cilët kanë marrë pjesë në numër rekord, kanë shprehur interesime në lidhje me infrastrukturën, arsimin, bujqësinë, shëndetësinë etj, dhe kanë marrë përgjigje nga kryetari dhe bashkëpunëtorët e tij.
Gjatë këtij viti, kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, tha se ka vazhduar të qeveris me duar të pastra, dyer të hapura për qytetarët dhe me një dietë të ashpër në shpenzime.
“Nga kursimet në dreka e darka, subvencionet i kemi orientuar në kulturë, rini, e sport dhe u kemi dalë në ndihmë këtyre tre sektoreve të rëndësishme”, ka thënë Haziri.
Ai tha se Gjilani vazhdon të jetë në nivelin më të lartë të pagesës së tatimit në pronë, ku vetëm sivjet janë inkasuar 600 mijë euro, ndërkaq nga amnestia, gjilanasve u janë falur mbi 5 milionë euro borxhe nga vitet e kaluara.
Kryetari i Komunës Lutfi Haziri pohoi se edhe për këtë vit kanë arritur ta ulin vlerën e tatimit në pronë, duke thënë se “vlerësojmë se nuk duhet të ketë Komunë të pasur e qytetarë të varfër”.
Haziri theksoi se Komuna e Gjilanit ka lidhur partneritete të rëndësishme me donatorët, të cilët kanë ndikuar dhe do të ndikojnë në përmirësimin e jetesës së qytetarëve.
“Deri tash, Komuna ka qenë punëdhënësi më i madh, ndërkaq prej vitit të ardhshëm do të jetë qeveria e Austrisë, ku pas nënshkrimit të marrëveshjeve me qeverinë e Kosovës, Gjilani përfiton 12 milionë euro investime në largimin e vadave, rregullimin e 54 kilometrave rrjetit të kanalizimit, rregullimin e lumit “Stanishorka”, si dhe përfundimin e fazës së fundit të projektit të lumit “Mirusha”, u shpreh para qytetarëve, kryetari i Gjilanit.
Nga donacionet e qeverisë së Zvicrës, Haziri tha se Gjilani ka përfituar rreth 3 milionë euro në këtë vit, sikurse edhe nga partneriteti i Komunës me Komisionin Europian për ndërtimin e parkut modern në lagjen “Dardania”.
“Ndërsa, në partneritet me USAID-in, për vitin e ardhshëm është nënshkruar marrëveshja për ndërtimin e çerdhes në “Dardania”, e me qeverinë turke do të ndërtohet çerdhja në lagjen “Arbëria”, tha Haziri.
Sa i përket shëndetësisë, kryetari Haziri potencoi se kanë arritur që ta rehabilitojnë infrastrukturën në qendrat e mjekësisë familjare, duke paralajmëruar ndërtimin e objektit të ri të QKMF-së në vitin 2016.
Në bujqësi, i pari i Gjilanit tha se Komuna, në bashkëpunim me donatorët, ka subvencionuar bujqit në shumën prej afro 2.5 milionë euro, për të shtuar se qëllimi është që asnjë pëllëmbë tokë të mos mbetet e papunuar.
“Synimi yni është që të arrijmë ta subvencionojmë edhe kulturën e duhanit dhe po punojmë që me ligj të trajtohet bima e duhanit sikur ajo e rrushit”, tha Haziri.
Ndërkohë, kryetari Haziri konfirmoi se për vitin 2016 janë rritur investimet publike, ku në bashkëfinancim të qeverisë së Kosovës dhe BERZH-it, do të ndërtohen hyrje-daljet e qytetit, Gjilan-Prishtinë dhe Gjilan-Ferizaj.
Haziri është shprehur se Komuna nuk ka krijuar asnjë borxh për dy vjet, por i kanë servisuar borxhet e trashëguara.
Për vitin 2016, Haziri tha se do të ndërtohet rruga Malishevë-Uglarë-Pogragjë, sikur edhe që pritet të hapet vendkalimi kufitar në Stanqiq për ta lidhur me Komunovën.
Po ashtu, kryetari Haziri konformoi para qytetarëve se në vitin e ardhshëm pritet të nis ndërtimi i impiantit për trajtim të ujërave të zeza.
Ai ka falënderuar qytetarët dhe bashkatdhetarët për solidaritet në fondin për banim social, ku nga 11 shtëpi sa janë premtuar në mbrëmjen humanitare, janë ndërtuar 24 shtëpi.
“Sot do të nis së ndërtuari shtëpia e 25-të, ndërsa nga 200 mijë eurot që i kemi të pa shpenzuara, do t’i renovojmë shtëpitë dhe pagesën e qirave sipas kërkesave të qytetarëve”, tha Haziri.
Sa i përket kampusit të shkollave të mesme, Haziri tha se do të ndërtohet në vitin e ardhshëm, ndërkaq në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit pritet të nis edhe kampusi universitar në vendin ku është kazerma e FSK-së.
Krejt në fund, kryetari Haziri ka falënderuar qytetarët për pyetjet, kërkesat, rekomandimet dhe vërejtjet e tyre.
“Rekomandimet dhe kërkesat tuaja për mua janë obligative dhe do të mundohem t’i realizojë që në fillim të vitit të ardhshëm”, ka thënë kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, në takimin publik me qytetarë, që është i dhjeti për dy vite të qeverisjes./2L ONLINE/