Në Gjilan është mbajtur festa e falënderimeve “Darka e Lamës”, në vigjilje të festës së 28 nëntorit, me pjesëmarrje të kryetarit Lutfi Haziri, deputetëve të Kuvendit të Republikës, pronarë të bizneseve e qytetarët.
“Sonte po bëhemi bashkë në sofrën tradicionale Darka e Lamës. Ne krenohemi sa I përket agroindustrisë. Ne kemi prodhime Made in Gjilan më shumë se krejt Kosova së bashku. Po bëhemi qendra kryesore e përpunimit të mishit, ushqimit dhe subvencionimet në sektorin e bujqësisë në Gjilan kanë kaluar shumën e mbi 1.5 milionë euro. Jam krenar me këtë të arritur dhe Zoti ua shtoftë bereqetin”, tha kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, në hapjen e kësaj ngjarje.
Drejtori i Bujqësisë, Ramiz Ramadani, ka deklaruar se mbështetja e bujqëve në qeverisjen Haziri është modeli më unikat në krejt Kosovën.
“Krahas përpunuesve gjilanas, sot nderojmë prodhuesit vendor të cilët bartin barrën kryesore të vëshirqësive për arritjen e rezultateve. E vlerësojmë angazhimin e mbi 1 mijë lavërtarëve, 600 blegtorëve, 300 bletarëve, e mbi 120 pemëtarëve etj. Mbështetja e bujqëve në qeverisjen Haziri është modeli më unikat në krejt Kosovën. Kërkojmë nga qeveria e Kosovës dyfishimin e granteve për subvencioneve”, ka thënë Ramadani.