(2L ONLINE) – Në thirrjen për Grante të Komisionit Evropian (IPA), të Programit për Bashkëpunim Ndërkufitar Maqedoni-Kosovë, Komuna e Gjilanit në bashkëpunim me Komunën e Çairit në Shkup ka fituar një projekt në vlerë prej mbi 500 mijë eurosh.
Kontratën për implementimin e projektit e ka nënshkruar kryetarit i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, i cili tha se së bashku me dy projektet tjera të fituara gjatë vitit 2014 në kuadër të programit “Kosova e Bukur” të Komisionit Europian, kapin vlerën e afro 1 milionë euro që do të jenë shërbim dhe në të mirë të qytetarëve.
Objektivi i përgjithshëm i projektit “Valorizimi i tregtisë/zejeve tradicionale dhe potencialeve të ekonomisë sociale në Komunën e Çairit dhe atë të Gjilanit” është kontributi në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik në zonën ndërkufitare përmes mbështetjes për degët tradicionale dhe sipërmarrjes sociale.
Projekti në tërësi arrin vlerën rreth 500 mijë eurosh për të dy komunat, derisa granti për komunën e Gjilanit arrin vlerën prej 241,631.15 euro, duke përfshirë këtu edhe participimin e Komunës në vlerë prej 36,244.68 euro.
Realizimi i projektit do të zgjas 18 muaj dhe në kuadër të tij ka të përfshirë:
– Bashkëpunim, koordinim dhe këmbim të përvojave mes dy komunave (Gjilan dhe Çair)
– Menaxhimin e projektit konform kushteve dhe standardeve të Komisionit Europian
– trajnime, konferenca, panaire, vizita, material promovues, etj.
– rehabilitimin e hapësirave ku është e vendosur qendra informuese
– nën-grante të vogla për ndërmarrësit