Në Komunën e Gjilanit sot është hapur Inkubatori i agro-biznesit, i financuar nga Bashkimi Evropian, me bashkëpunimin e të gjitha komunave të regjionit të Lindjes dhe qëllim kryesor ka angazhimin e të rinjve në punë me kontrata të qëndrueshme në sektorin privat.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka theksuar se me bashkëpunimin ndërkomunal dhe me mbështetjen e Bashkimit Evropian është bërë i mundur ky projekt, edukimi i të rinjve në fusha të ndryshme e deri te punësimi dhe hapjen e inkubatorit.
“Për këtë periudhë kohore të realizimit të projektit janë arritur shumë hapa të rëndësishëm që nga edukimi, punësimi e deri edhe të mbështetja në forma të ndryshme të të rinjve. Janë trajnuar 46 të rinjë në përpunimin e produkteve agro, pastaj 50 të rinjve në bujqësi, 107 të rinjve në Teknologjinë Informative. Poashtu, janë kontraktuar 102 praktika në biznese të ndryshme agro në Rajonin e Lindjes, prej tyre 18 të rinjë janë punësuar me kontrata të rregullta pune. Janë trajnuar 104 të rinjë në kthimet e investimeve në bujqësi dhe 100 persona për zhvillimin e biznes planit. Përmes nën-granteve janë financuar 37 biznese fillestare dhe 7 biznese ekzistuese. Rezultatet e deritanishme të projektit janë sigurimi i qëndrueshëm i 100 vendeve të reja të punës”, ka theksuar kryetari Haziri.
Ai më tej ka spikatur edhe hapjen e Inkubatorit të Agrobiznesit që është pjesa finale e këtij programi 3-vjeçar që është i lidhur ngushtë me shkollën e mesme të bujqësisë “Arbëria” dhe synim kemi lidhjen e pikës së tretë që është Fakulteti i Bujqësisë, sepse tashmë këtu në këtë shkollë kemi laboratoret dhe teknologjinë më moderne për përgatitjen e të rinjve në fushën e agros.
Lendrit Bunjaku, njëri nga të rinjtë përfitues i projektit nga Gjilani, përmes nën-granteve ka konfirmuar se atij i ka mundësuar ngritjen e serrës, rregullimin e sistemit të ngrohjes dhe ujitjes për kultivimin e luleve, derisa paralajmëron se nga 30 mijë fidane sa kishte këtë vit planifikimi për vitin e ardhshëm është në dyfishimin e kultivimit të luleve.
Ermelinda Haziri, koordinatore e projektit, ka përshkruar detajet e projektit “Të rinjtë në agrobiznes”, i cili ka arritur të krijoj inkubatorin e agro-biznesit në Komunën e Gjilanit dhe i cili ka kaluar përmes strategjisë dhe planifikimit 3-vjeçar deri në implementimin e aktivitetit të fundit këtij të Inkubatorit.
Në fund të këtij takimi është nënshkruar edhe memorandum i bashkëpunimit për kujdesin e mëtutjeshëm të inkubatorit dhe pajisjeve tjera përcjellëse. /2LONLINE.com/