/2L ONLINE/ – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, priti sot në takim përfaqësuesit e Institutit Riinvest, të kryesuar nga Visar Vokrri. Kryetari Haziri u njoftua nga z. Vokrri për fillimin e projektit të financuar nga Fondi për Zhvillimin e Komunitetit (CDF), përkatësisht donatorin kryesor të Komunës, Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për hartimin e strategjisë lokale për zhvillim socio-ekonomik të Komunës së Gjilanit, që do ta implementoj Instituti Riinvest.
Kryetari Haziri, fillimisht falënderoj donatorin USAID dhe i dha mbështetjen e Komunës së Gjilanit për hartimin e kësaj strategjie të nevojshme dhe shumë të rëndësishme për Komunën e Gjilanit, e cila do të shërbej si një udhërrëfyes për zhvillimin socio-ekonomik lokal.
Kryetari Haziri theksoi faktin se në fillim të këtij viti ka formuar Grupin Punues i cili do të punojë në këtë strategji, ku do t’i prijë drejtori i Zhvillimit Ekonomik, Agim Zuzaku.
Ndryshe, ky grup punues është i përbërë nga të gjitha subjektet politike më të mëdha në Gjilan, sikurse komunitetet pakicë, ndërkaq rëndësi i ka dhënë barazisë gjinore. /2L ONLINE/