Futbollistët e Gjilanit do të grumbullohen sot për të nisur fazën përgatitore verore për edicionin 2024/25.
Me stafin teknik tashmë të konfirmuar dhe ndryshimet e bëra së fundmi, futbollistët do të paraqiten në pasditen e së hënës në fushën ndihmëse me bari sintetik në Gjilan për të shënuar kështu fillimin e fazës përgatitore.
“Në grumbullim janë të ftuar gjithë futbollistët, duke përfshirë edhe ardhjet e reja, të cilët pritet të jenë në dispozicion të stafit teknik, ndërkohë që në pritje mbeten edhe disa futbollist të tjerë”, thuhet në njoftimin e klubit.
Ekipi do të nis fazën në qytetin e Gjilanit për të vijuar më pas jashtë vendit, ndërkohë që parashihen të zhvillohen edhe disa duele kontrolluese.
“Gjithë kjo besohet të përgatisë ekipin në lartësinë e duhur në prag të një tjetër edicioni sfidues në kampionatin elitar të futbollit kosovar, mirëpo tani me ambicje krejtësisht të tjera”, thuhet në njoftim.
Para fillimit të seancës së parë stërvitore do të mbahet edhe konferenca për media nga ora 16:30 në ambientet e klubit.
Pjesëmarrës në këtë konferencë do të jenë Ertan Demiri, drejtor sportiv dhe Ardian Nuhiu, kryetrajner. /2LONLINE/