Komuna e Gjilanit do të organizojë pritje madhështore për kampionin e botës në boks në versionin WBF, Erzen Rrustemi, i cili arrin në këtë qytet të shtunën, thonë, drejtuesit e komunës.
Komuna e Gjilanit është duke bërë përgatitjet finale rreth organizimit të pritjes së Rrustemit me një koncert madhështor te sheshi “Agim Ramadani”, me pjesëmarrje të rock grupeve dhe këngëtarëve të mirënjohur të muzikës popullore, përderisa audiencës do t’i drejtohet për një fjalë rasti kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri dhe kampioni i botës në boks, në versionin WBF, Erzen Rrustemi.
Kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se Erzen Rrustemi është krenaria e Gjilanit, Kosovës dhe e mbarë shqiptarëve, duke thënë se meriton t’i bëhet një pritje madhështore.
“Atë që e ka bërë Erzeni, nuk e ka bërë asnjë shqiptar deri më sot. Të shpallesh kampion bote në boks, është vërtetë arritje e jashtëzakonshme. Prandaj, Gjilani e mirëpret kampionin me një pritje të veçantë, ashtu siç i ka hije”, ka theksuar Haziri.
Ndryshe, me iniciativë të kryetarit Lutfi Haziri, Kuvendit Komunal i Gjilanit pati shpallur boksierin Erzen Rrustemin “Nderi i Qytetit”, në ceremoninë për më të dalluarit e vitit, qershor 2015-qershor 2016.