Skuadra e Futbollit SC Gjilani i ka nisur mbarë garat evropiane, pasi në ballafaqimin e parë, në San Marino, në raundin preliminar në Ligën e Evropës, ka mposhtur skuadrën e Tre Penne me rezultat 3 me 1.
Gëzimin për “Skifterat,” pas fitores së parë në një garë evropiane, e mundësuan tre golat e kuq e bardhëve kundrejt një të skuadrës Tre Penne nga San Marino. Shënuan për Gjilanin :Darko Nikaç (21’) Fiton Hajdari (64’) dhe Ardit Hila (68’), ndërsa për Tre Penne golin e shënoi Nikola Gai (16’).
Kështu, skuadra gjilanase, SC Gjilani me sukses e kaloi pengesën e parë dhe arriti të kualifikohet në rundin e parë kualifikues në Ligën e Evropës ku e pret ballafaqimi i radhës, por tani një kundërshtar më i fortë, Apoel FC (Nicosia).
Urime për këtë fitore, skuadra gjilanase ka marr edhe nga i pari i komunës, Lutfi Haziri i cili i ka përgëzuar, në një postim në profilin e tij.
“S’ka ba ndryshe. Ky është SC Gjilani fantastik që bëri histori në Europë, në ndeshjen debutuese. Urime lojtarëve, kryesisë, Skifterave dhe Presidentit të klubit, Florim Zuka. Krenar me ju!”, ka shkruar kryetari Haziri. /2LONLINE.com/