Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka nënshkruar të enjten marrëveshje bashkëpunimi me rektorin e Universitetit “Hasan Prishtina”, prof. Dr. Naser Sahiti, duke u bërë kështu komuna e parë që e formalizon një marrëveshje të tillë.
Kryetari Hyseni ka thënë se marrëveshja e nënshkruar ka për qëllim ngritjen profesionale të studentëve të të gjitha programeve.
“Kam nderin e veçantë që komuna e Gjilanit është komuna e parë në Kosovë që formalizon bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës (UP). Marrëveshja e nënshkruar ka për qëllim ngritjen profesionale të studentëve të të gjitha programeve, duke i angazhuar ata në projekte të komunës së Gjilanit”, ka thënë kryetari Hyseni.
“Marrëveshjen e nënshkruam bashkë me rektorin e UP-së, prof. dr. Naser Sahiti. Të dyja palët shprehëm vullnetin për bashkëpunimin institucional, me qëllim të përgatitjes profesionale të gjeneratave të ardhshme për tregun e punës në vend”, ka shtuar kreu i Gjilanit, Alban Hyseni. /2LONLINE/