Në kuadër të xhiros së 23- të të Vala Superligës së Kosovës në futboll, Kf.Gjilani dhe Kf.Flamurtari kanë ndarë pikët.
Në përballjen në Stadiumin e Qytetit në Gjilan asnjëra skuadër nuk arriti të shënojë edhe përkundër mundësive për konkretizim.
Vendasit dominuan pjesën e parë, por pa gola sikurse edhe në pjesën e dytë, me c’rast ndeshja përfundoi me rezultat 0:0
Pas ndeshjes, trajneri Arbnor Morina, u shpreh i pakënaqur me rezultatin e skuadrës kuq e bardhë.
“Mungesat janë pjesë përbërëse të futbollit. Kishim mundësitë tona për të realizuar, djemve askush nuk mundet me gisht me ju bo, pasi që luftuan, luajtën, krijuan, por nuk realizuan. I humbëm dy pikë në momentin kur nuk e kemi pritur fare, megjithë ato raste të krijuara”, ka thënë trajneri Morina pas ndeshjes.
Në anën tjetër, në këtë ndeshje tribina e vendasve ishte e zbrazët, pasi “Skifterat’ kishin bojkotuar pjesëmarrjen për herë të parë që nga themelimi i tyre si tifo-grup.
Ata nuk e përkrahën ekipin e tyre të zemrës në mënyrë të organizuar si zakonisht dhe për këtë patën një shpjegim.
Pas kësaj përballje me nga 1 pikë të fituar, Gjilani zë vendin e gjashtë me 36 pikë vetëm 1 më pak se pozita e katërt dhe e pestë, gjersa Flamurtari e vazhdon kampionatin në pozitën e dhjetë, zonë e cila nuk siguron as mbijetesën.
/Elife Sherifi/