Testimet e ditëve të fundit të gjilanasve për t’u parë se a janë prekur nga koronavirusi, fatmirësisht kanë rezultuar të gjitha negativ.
Arbër Ismajli, nënkryetar i komunës së Gjilanit, ka bërë me dije se nga data 18 maj e deri më sot, nuk kemi pasur asnjë rast të ri të të infektuarëve, pra të gjitha mostrat e testuara kanë rezultuar negativ.
“Vlen të theksohet se deri më tani, nga komuna jonë, janë të prekur gjithsej 83 persona me koronavirus, nga këta persona, fatkeqësisht, kemi 2 të vdekur, 32 janë pozitiv në vetë-izolim, me simptoma të tejkalueshme të këtij gripi, ndërsa e gjithë pjesa tjetër janë shëruar plotësisht”, ka thënë Ismajli, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Sipas tij, edhe sot pritet të merren edhe 30 mostra të reja, për ta vlerësuar gjendjen e pacientëve potencial.
“Po besojmë dhe shpresojmë, që edhe këtë grup mostrash, do ta tejkalojmë si të rezultuar negativ”, thotë nënkryetari Ismajli.
Sipas tij, po ashtu, ekipet e mantelbardhëve të Qendrës së Mjekësisë Familjare në Dardani, iu janë përgjigjur kërkesave të çdo qytetari për kontrolle mjekësore nëpër shtëpitë e tyre, pa pasur nevojë fare të shkojnë për kontrolle në këto qendra.
Po ashtu, Ismajli tha se edhe vaksinimi i fëmijëve ka shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme, duke u bërë vaksinimi i mbi 600 fëmijëve.
Dalëngadalë po i kthehemi normalitetit, duke përmbyllur këtë rëndesë e cila ka mbretëruar në ktë periudhe, ndërsa duke filluar nga muaji qershor, priten masa të reja lehtësuese.