/2L ONLINE/ – Nga sot, mbi 27 mijë konsumatorë të Ujësjellësit “Hidromorava” do të paguajnë faturat për ujë të pijshëm në zyrat postare në rajonin që përfshijnë komunat: Gjilan, Viti dhe Kamenicë. Për këtë shërbim të ri, sot është nënshkruar marrëveshja mes kryeshefit ekzekutiv të Postës, Sejdi Hoxha dhe kryeshefit ekzekutiv të Ujësjellësit “Hidromorava”, Muhamed Suliqi.
“Jam i lumtur që këta qytetarë do ta kenë këtë shërbim afër vendbanimit të tyre dhe për faturat e ujit nuk do të paguajnë kurrfarë provizioni. Kjo marrëveshje është në kuadër të prioritetit tonë për ofrim të të gjitha shërbimeve sa më afër qytetarit’, ka deklaruar Hoxha.
Banorët e Rajonit të Gjilanit kanë mundësi të paguajnë edhe faturat e energjisë elektrike, pa provizion, dhe çdo lloj pagese tjetër.
Posta e Kosovës ka një rrjet të zyrave postare në qytetin e Gjilanit, Kamenicës dhe Vitisë si dhe në vendbanime rurale të këtyre komunave.
Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes kanë marrë pjesë edhe sekretari i korporatës, Argjent Sefa, drejtorët: Xhyljetë Izmaku, Xhevdet Smakiqi, Bashkim Mustafa dhe menaxheri për rajonin e Gjilanit, Artan Qerimi.
Ishte e pranishme edhe zyrtarja kryesore e financave të Ujësjellësit “Hidromorava”, Merita Xhelili.
“Unë sërish u bëj thirrje të gjitha institucioneve private dhe publike që konsumatorët e tyre t’i orientojnë për shërbimin e pagesave në Postën e Kosovës, sepse kjo në radhë të parë është në interes të qytetarëve”, ka thënë kryeshefi i Postës. /2L ONLINE/