Më 08.02.2020 në FSHMN, Shoqata e Matematikanëve të Kosovës (SHMK) shpalli solemnisht rezultatet finale të Olimpiadës Matematike të Kosovës – OMK 2020.
Shkruan: Festim Shkodra, profesor i matematikës
Në solemnitet me një fjalë rasti u paraqitën dr.sc. Armend Shabani – kryetar i SHMK-së dhe dr.sc. Naim Syla – prodekan i FSHMN-së. SHMK pos mirënjohjeve që ndau për fituesit, me përkrahjen e kompanisë shqiptaro-amerikane “Ninety One” dhe kompanisë kosovare “ALB-architect” arriti të i shpërblej fituesit edhe me vlera monetare.
Talentat e rinj të matematikës nga Gjilani edhe sivjet vazhduan traditën, ata fituan shumicën e vendeve të para në Olimpiadën Matematike të Kosovës – OMK 2020.
Nga ekipi zyrtar i Komunës së Gjilanit, garuesit e klasës së IX treguan sukses më të madh, për dallim nga pjesa tjetër e ekipit të tyre. Kështu ata treguan këto rezultate:
Klasa IX
1) Dion Aliu /vendi i parë
2) Lum Jerliu / vendi i dytë dhe
3) Olt Ymeri / vendi i pestë
Të tre këta garues së bashku edhe me Jon Kryeziun – garuesin tjetër të klasës IX nga ekipi i Gjilanit, njëkohësisht janë kualifikua për të marrë pjesë në Olimpiadën e Parë të Përbashkët Matematike Kosovë-Shqipëri, për nxënësit e klasave VII, VIII dhe IX, që do të mbahet për nder të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, më 15-17 shkurt 2020 në Vushtrri.
Suksese të larta treguan edhe ish-nxënësit e Komunës së Gjilanit, që momentalisht janë duke u shkolluar në Gjimnazin Matematik të Prishtinës dhe Shkollën “Mehmet Akif” në Lipjan. Kështu ata arritën këto rezultate:
Klasa XI
1) Edon Ramadani / vendi i parë
2) Era Syla / vendi i dytë dhe
3) Florian Shabani /vendi i tretë
Klasa XII
1) Andi Sejdiu / vendi i parë
2) Bardh Osmani / vendi i dytë
Të gjithë këta fitues së bashku edhe me fituesit tjerë të pesë vendeve të para në OMK 2020, më 8.08.2020 në FSHMN iu nënshtruan Testit Seleksionues – TST 2020, për përzgjedhjen e ekipit 6 anëtarësh të Kosovës që do të marrë pjesë në Olimpiadën Matematike Ndërkombëtare – IMO 2020, që sivjet mbahet në St. Petersburg në Rusi më 8-18 .07.2020.
Po ashtu, nga TST përzgjedhet ekipi prej katër vajzave që do të përfaqësojë shtetin e Kosovës në Garat Evropiane të Matematikës për Vajza (angl. European Girls Mathematical Competition – EGMO), e cila do të mbahet në qytetin Egmond aan Zee, në Holandë, më 15-21.04.2020, ku Kosova merr pjesë për herë të parë.
Suksese të gjithë garuesve.