Në Komunën e Gjilanit, po mbahet testi i maturës, të cilit po i nënshtrohen 1709 nxënës, të mbikëqyrur nga administrues, monitorues dhe komisionerë, të përbërë nga MASHT-i, DKA dhe shkollat.
Drejtoresha e Arsimit, Shqipe Kastrati-Haziri, së bashku me stafin e tij ka thënë se çdo gjë është në rregull sa i përket këtij procesi dhe konform planifikimit të DKA-së dhe MASHT-it.
“Gjithçka ka nisur me kohë dhe sipas planifikimit të drejtorisë dhe institucioneve qendrore të arsimit. Drejtoria e Arsimit paraprakisht ka bërë të gjitha përgatitjet që ky proces vlerësues për nxënësit të bëhet sipas rregullave të parapara nga ministria. Këtë vit testit i nënshtrohen 1709 nxënës. Gjatë vizitës nëpër qendrat ku është organizuar testimi, çdo gjë është në rregull, me një disciplinë të lartë dhe mbykëqyrje të vazhdueshme”, ka thënë drejtoresha Kastrati-Haziri.
Ajo po ashtu ka uruar që Gjilani sikur gjithmonë edhe këtë vit të radhitet ndër komunat e para sa i përket suksesit të nxënësve.
Edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, kanë konfirmuar se gjithçka është duke shkuar në rregull dhe nuk ka vërejtje, as në aspektin e organizimit, por as në aspektin e monitorimit të këtij procesi.