Policia e Kosovës pranë Stacioni policor në Gjilan, ka pranuar një informatë se në Rrugën “Lidhja e Prizrenit” në Gjilan ishte duke ndodhur një rrahje mes disa personave.
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë me dije se falë intervenimit të shpejtë të zyrtarëve policorë është bërë e mundur arrestimit në flagrancë i katër të dyshuarve të përfshirë në rrahje (të gjithë vëllezër mes vete).
Si pasojë e përleshjes lëndime trupore ka pësuar njëri nga vëllezërit të cilit i është ofruar ndihma mjekësore në Emergjencën e Spitalit Rajonal.
Të dyshuarit në shenjë revolte dhe hakmarrje kanë shkaktuar edhe dëme materiale në dy vetura (pronë e përbashkët e të dyshuarve).
“Pas arrestimit të dyshuarit janë shoqëruar në Stacionin policor ku janë intervistuar në lidhje me rastin dhe pasi është kuptuar pesha e përgjegjësisë penale e secilit nga ta, është njoftuar Prokurori i Shtetit i cili ka marrë vendim që dy nga të dyshuarit të lirohen në procedurë të rregullt ndërsa dy të tjerët ndalohen në qendrën e mbajtjes për 48 orë”, ka thënë zëdhënësi Hashani.
Rasti i referohet Prokurorisë Themelore.