Në vazhdën e rritjes së sigurisë së përgjithshme të pjesëmarrësve në trafikun rrugor, Policia e Kosovës, njësitet e trafikut Rajonal në Gjilan janë në implementim e sipër të Plani Operativ, “Brezi i sigurisë” që nga 11 shkurti 2019 dhe gjerë më 06 mars 2019, ku gjatë kontrolleve rutinë janë shqiptuar 888 tiketa si ndaj vozitësve ashtu edhe ndaj pasagjerëve që nuk kanë përdorë brezin e sigurisë.
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë me dije se në rajonin e Gjilanit ka qenë edhe një ekip nga Ministria e Infrastrukturës nga Divizioni I Trafikut rrugor, dhe Drejtoria e rrugëve në kuadër të Ministrisë së Infrastrukturës ku së bashku me njësitet e trafikut rajonal në Gjilan në rrugën magjistrale Gjilan-Prishtinë dhe në rrugën magjistrale Gjilan-Bujanoc ( tek rrethi në dalje të Gjilanit) ka shpërnda një numër fletushkash vozitësve si fushatë vetëdijsuese me temën “vendose brezin e sigurisë, për sigurinë tuaj”.
“Qëllimi I projektit është ngritja e vetëdijesimit gjatë drejtimit të automjetit, si te drejtuesit ashtu edhe pasagjerët të përdorin brezin e sigurisë për ti ikur lëndimeve me rastin eventual të aksidenteve të trafikut duke u mbështetur në nenin 187 të Ligjit të Trafikut rrugor të Republikës së Kosovës nr. 05/L-088”, ka thënë zëdhënësi Hashani.
Sipas tij, aktivitet e tilla në rritjen e sigurisë së pjesëmarrësve në trafikun rrugor, nga Policia e Kosovës do të vazhdojë edhe më tej, me qëllim ruajtjen e jetës së qytetarëve tanë.