Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti vizitoi regjimentin e parë të Forcave Tokësore të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në kazermën “NewBorn”, në Gjilan.
Në fjalimin para pjesëtarëve të regjimentit, kryeministri Kurti u shpreh i nderuar dhe krenar për vizitën dhe shtoi se nuk ka mënyrë më të mirë për të filluar vitin e ri.
Ai tha se këmbësoria, si degë më e vjetër e ushtrisë, dëshmon që teknologjia dhe pajisjet ushtarake, sado të sofistikuara dhe precize, nuk mund ta zëvendësojnë vrullin dhe fuqinë e luftarakut të zot.
Kjo, siç u tha ushtarëve kryeministri, e shton përgjegjësinë e udhëheqësve tuaj dhe secilit prej juve, që me moral të lartë dhe me përkushtim intensiv, si dhe me punë ekipore dhe stërvitje të rregullt, të veproni bashkë, shumë bashkë, aq bashkë, sa që sikur një.
Në vitin që lamë pas, FSK-ja tregoi profesionalizëm të lartë, përkushtim në shërbim të paqes e sigurisë, jo vetëm brenda kufijve të saj, por edhe jashtë, si dhe, jo vetëm për qytetarët e saj, por edhe të gjithë ata që kanë nevojë.
Një ndër sukseset më të larta të vitit 2021, ishte pjesëmarrja në “Defender Europe ‘21”, ku treguat gatishmërinë, profesionalizmin dhe ndërveprueshmërinë me ushtarakët e NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Pjesëmarrja në ushtrimin ndërkombëtar dhe validimi i suksesshëm i kompanisë tuaj, është testament i arritjeve, të cilët na bëni çdo ditë krenarë të gjithë neve, tha kryeministri Kurti. Ai shprehu bindjen se sfida e radhës, “Defender Europe ‘23”, do t’i gjejë edhe më mirë, edhe më të përgatitur. /2LONLINE/