/2L ONLINE/ – Në Gjilan, dhe në fshatin Dobërqan të Gjilanit, Policia e Kosovës, Njësiti i Krimeve Ekonomike dhe Antikorrupsion nga Shtabi Qendror që vepron nê Gjilan, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, ka zhvilluar një operacion për kontrollimin e lokaleve të lojërave të fatit të cilat operojnë në Komunën e Gjilanit në kundërshtim me Ligjin mbi lojërat e fatit.
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka thënë për Portalin 2L ONLINE, se gjatë këtij operacioni kundër organizimit të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm, janë kontrolluar dy subjekte të Lojërave të Fatit, Bastore Sportive, me ç’ rast në dy lokacionet janë konfiskuar tri shtëpiza kompjuterike ku dyshohet se janë të instaluara lojëra të ndaluar në bazë të Ligjit të Lojërave të Fatit.
“Nga Policia e Kosovës dhe Dogana e Kosovës në njërin nga lokacionet e kontrolluar kemi hasur në 6 Aparate të lojërave të fatit ku dyshohet se janë të pa licencuar. Nga Njësia e Doganës në pamundësi që aparatet të konfiskohen për arsyeje teknike lokali është bllombuar përkohësisht”, ka thënë zëdhënësi Hashani.
Sipas tij, në lidhje me këtë operacion ka qenë e njoftuar edhe Prokuroria Themelore në Gjilan dhe me vendimin e prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt, nê gjykatë. /2L ONLINE/