Nënkolonel Shaban Azizi, zëvendësdrejtor rajonal në Policinë e Kosovës në Drejtorinë Rajonale të Gjilanit, ka bërë me dije se kanë arrestuar një të kërkuar nga Policia, pasi i shmangej vuajtjes së dënimit sipas vendimit të plotfuqishëm të Gjykatës.
Ai është dërguar në vuajtje të dënimit, ndërsa pas kontrollit të shtëpisë, iu gjetur edhe një sasi e marihuanës, për çka iu është ngritur kallëzim penal.
“Zyrtarët policore të stacionit policore të Gjilanit të angazhuar me plan operativ për realizim të urdhëresave të Gjykatës kam arrestuar personin J.T I lindur me 1991, i cili i shmangej vuajtjes së dënimit prej 2 vite e 4 muaj sipas vendimit të plotfuqishëm të Gjykatës”, ka thënë nënkolonel Azizi.
Sipas Azizit, gjatë kontrollit të të arrestuarit, i është gjetur një sasi e substancës narkotike dhe me urdhër verbal të prokurorit kujdestar, i është kontrolluar edhe shtëpia dhe në total i janë konfiskuar 20 qese plastike me 23 gramë substancë narkotike e llojit marihuanë.
“Personi I arrestuar është dërguar në vuajtje të dënimit dhe i është bërë kallëzim penal për posedim të substancave narkotike”, ka thënë nënkolonel Shaban Azizi. /2LONLINE.com/