Me 23 mars 2017, rreth orës 21:55 minuta, në rrugën “Idriz Seferi” afër pikës se karburanteve “IP”, ka ndodhur një aksident rrugor me lëndime të rënda trupore, ku ishte i përfshirë një automjet i markës Audi A6 me targa regjistrimit 06, drejtuar nga vozitësi shqiptar shtetas i Kosovës A. B.(1996) dhe një këmbësore po ashtu shqiptare shtetase e Kosovës me vendbanim në Gjilan (1963).
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë me dije se Policia e Kosovës njësitet e trafikut rajonal me urgjencë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe nga hetimet e para mësohet se deri te aksidenti (përplasja e këmbësores) ka ardhur si pasojë e mospërshtatjes së shpejtësisë kushteve të komunikacionit dhe vozitjes së pakujdesshme në momentin kur këmbësorja ishte duke e kaluar rrugën.
“Si pasojë e aksidentit, lëndime të rënda trupore pëson këmbësorja, të cilës fillimisht i jepet ndihma e parë në spitalin rajonal të Gjilanit e mandej transferohet në QKUK në Prishtinë, për shkak të natyrës së rëndë të lëndimeve. Rrethe orës 01:22, jemi njoftuar se edhe përkundër përpjekjeve nga ana e personelit mjekësorë këmbësorja kishte ndërruar jetë nga lëndimet e marra në aksident”, ka thënë zëdhënësi Hashani.
Sipas tij, është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që drejtuesi i veturës të ndalohet për 48 orë, ndërsa trupi i pa jetë i të ndjerës të dërgohet ne IML për obduksion.
Rrethanat e këtij rasti të rëndë janë duke u hetuar nga hetuesit e trafikut Rajonal.